Vendosni fjalën kyçe....

“Për sojin më të lig të komunistit”- Poezia që recitoi Spiropali nga foltorja dhe irritoi Berishën


Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, sulmoi sot ish-kryeministrin Sali Berisha duke i recituar atij poezinë e Luan Myftiut “Monologu i Pendesës”.

Spiropali tha se kjo poezi u shkrua prej Myftiut në vitin 2001, pasi ai vuajti dënimin në Burgun e Spaçit, dhe ishte për “sojin më të ligë të komunistit” që është anti-komunist, duke iu referuar kështu Berishës.

 “Luan Myftiu, në moshë të vogël, komunistët i pushkatuan babain. E ëma e tij, nga tronditja, përfundoi në spital, duke lënë fëmijët të vetëm. Më vonë, atë e dënuan për propagandë. Kreu dënimin në Spaç dhe doli me ardhjen e demokracisë dhe u vendos në Tiranë.

Më 2001 shkroi poezinë e tij emblematike, ‘Monologu i pendesës’, për zhgënjimin e tij më të madh, për dëshpërimin dhe për sojin më të lig të komunistit, që është komunisti anti-komunist.

Unë vetëm po e lexoj për ju: ‘Të besuam, të zgjodhëm, votuam për ty. Ti na rrahe, na shave, na ndave në dy. Ne u ngritëm të hiqnim nga zverku ty djall, ti na rrope, na dogje, në dhe po na kall.

Je pashpirt, hipokrit, pabesinë ke moral, sa dhe shokët mohon. Je mashtrues, se të mburr kur të bën fukara, ta lë fajin në derë, je pacipë, maskara. Je një horr, të grabit sy ndër sy dhe pa turp të bën qorr. Për kolltuk del nga varri lugat, që të jesh po ti Zot, s’le shenjtor pa mëkat’.”– deklaroi Spiropali.

Ky recitim e irritoi Berishën që kërkoi fjalën për replikë, mirëpo drejtuesja e seancës Ermonela Felaj nuk ia dha atij fjalën.