Vendosni fjalën kyçe....

Serbia siguron një kontratë të re gazi me Rusinë, Vuçiç: Do kemi çmimet më të lira në Europë


Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha të dielën se kishte rënë dakord për një kontratë të re trevjeçare gazi me Moskën gjatë bisedimeve telefonike me homologun e tij rus Vladimir Putin.

Përveç kontratës së gazit, të dy presidentët diskutuan edhe perspektivat e zgjerimit të objekteve të depozitimit të gazit në Serbi, zbuloi Vuçiç. Çmimi i gazit do të jetë i lidhur me çmimin e naftës, shpjegoi ai, por nuk dha ndonjë hollësi të mëtejshme, duke shtuar se këto ende duhet të bisedohen me gjigantin shtetëror rus të gazit Gazprom.

“Nuk mund të flas për çmimin tani, të gjitha hollësitë do merren vesh me Gazprom.” – u tha Vuçiç gazetarëve.

Më vonë gjatë ditës, megjithatë, presidenti serb dha vlerësimet e tij për koston e gazit.

“Çmimi i gazit do të jetë 100% sipas formulës së naftës, që do të thotë nga 310 në 408 dollarë për mijë metër kub gaz, ky është çmimi për 2,2 miliardë metra kub gaz, bindshëm çmimi më i mirë në Evropë.” – tha Vuçiç.

Moska konfirmoi se furnizimi me gaz është diskutuar gjatë bisedimeve mes Putinit dhe Vuçiqit, por nuk dha ndonjë hollësi konkrete.

Kontrata e tanishme 10-vjeçare e furnizimit me gaz të Beogradit me Gazprom skadon më 31 maj.

Serbia ka pasur lidhje të forta politike dhe ekonomike me Rusinë prej vitesh tashmë, por marrëdhënia midis dy kombeve është vënë në provë mes konfliktit të vazhdueshëm midis Moskës dhe Kievit që shpërtheu në fund të shkurtit. Pavarësisht se po përballet me presionin në rritje nga BE, Beogradi ka kundërshtuar t’i bashkohet sanksioneve antiruse dhe ruan lidhjet me Moskën.

Ky qëndrim u përsërit nga Vuçiç në Forumin Ekonomik Botëror në Davos në fillim të kësaj jave, kur presidenti serb konfirmoi se Beogradi para së gjithash do të vazhdojë të ndjekë ‘interesat e veta’.