Drejtoria e burgut në Shënkoll të Lezhës, ka reaguar për vdekjen e gardianit Gjovalin Frroku.
Në një prononcim për televizionin “News 24”, Drejtoria e Burgut pretendon se janë ndjekur të gjitha procedurat për këtë rast duke hedhur poshtë denoncimin e Sindikatës së Policëve të Burgjeve që pretendoi se gardianit nuk ishte lejuar të largohej nga puna pa mbaruar turnin dhe të merrte mjekim.
Drejtori i burgut të Shënkollit i kontaktuar nga “News24” bëri me dije se Frroku nuk mori trajtim të specializuar, pasi kur ka mbaruar vizitën me mjekun nuk ka kërkuar që të largohet për ndihmë më të specializuar.
Në raportin e mbërritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve thuhet se Frroku mbërriti në punë në orën 22:00 dhe turnin do e përfundonte në orën 06:30 minuta. Sakaq gjatë marrjes së detyrës dhe dhënies së instruktazhit ai nuk ka shprehur asnjë shqetësim apo problem shëndetësor.
Ka qene ora 03:30 minuta, kur ai ka telefonuar specialistin e informacionit duke kërkuar ndihmë mjekësore pasi nuk ndihej mirë. Brenda 5 minutash, specialisti i informacionit, mjeku dhe ndihmës mjeku i kanë shkuar në ndihmë.
Mjeku që ka kryer vizitën nuk ka konstatuar probleme shqetësuese për të cilin ai duhej zëvendësuar e për pasojë ka vijuar të qëndrojë në punë deri në orën 7:11 minuta dhe pasi ka dorëzuar punën, në orën 7:12 minuta është larguar.
Pas largimit gjendja e tij është përkeqsuar dhe pasi është dërguar në Spitalin e Lezhës është nisur me urgjencë drejt Tiranës. Por nuk ka mundur të jetojë.
Më herët Sindikata e Policëve të Burgjeve denoncoi ngjarjen duke thënë se punonjësi i burgut të Shënkollit Gjovalin Frroku ka shfaqur probleme me zemrën në vendin e punës rreth orës 3 të mëngjesit dhe pasi ka kërkuar ndihmë është vizituar nga mjeku në burgun e Shënkollit.
Në reagim thuhet se ai nuk është lënë që të largohet nga vendi i punës derisa ka përfunduar turnin dhe vetëm pas kësaj është dërguar në spitalin e Lezhës dhe prej këtej është nisur drejt Tiranës po ka ndërruar jetë rrugës.
Sindikata bëri me dije gjithashtu se punonjësit kërkojnë prej kohësh që të organizojnë një tubim para institucioneve për kushtet e punës dhe se gjendja e rëndë është paralajmëruar prej kohësh nga sindikata.