Një gazetar francez u vra të hënën gjatë bombardimeve ruse që goditi një automjet që evakuonte civilët nga lindja e Ukrainës, thanë zyrtarët francezë dhe ukrainas.
“Frédéric Leclerc-Imhoff ishte në Ukrainë për të treguar realitetin e luftës”, shkroi presidenti francez Emmanuel Macron në Twitter.
“Në një autobus humanitar, së bashku me civilët e detyruar të ikin për t’i shpëtuar bombave ruse, ai u qëllua për vdekje”.
Gazetari 32-vjeçar punonte për BFM TV dhe ishte në udhëtimin e tij të dytë të raportimit në Ukrainë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt, sipas stacionit francez të lajmeve.
Ai ishte afër Severodonetsk, një qytet në lindje të Ukrainës, i cili është goditur nga forcat ruse që avancojnë javët e fundit, thanë ministritë e jashtme franceze dhe ukrainase në deklarata të veçanta.
Ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna, e cila vizitoi Kievin të hënën, tha në Twitter se Leclerc-Imhoff ishte vrarë “nga një bombardim rus i një misioni humanitar ndërsa ai po kryente detyrën e tij për të informuar”.
“Kam folur me qeverinë e Luganskut dhe i kam kërkuar presidentit Zelensky për një hetim dhe ata më siguruan për ndihmën dhe mbështetjen e tyre”, shkroi ajo.
Ministria e Jashtme franceze ka bërë thirrje për një “hetim transparent” mbi rrethanat e vdekjes së tij.