Një vit nga hapja e ankandit për impiantet eolike, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka njoftuar se tashmë ka ardhur momenti final i dorëzimit të aplikimeve dhe më pas hapjes së ofertave.
Në një njoftim të fundit të kësaj ministrie thuhet se data e fundit për dorëzimin e aplikimeve për kualifikim është 13 qershori 2022 dhe hapja e ofertave do të bëhet në 20 qershor. Ministria ka sqaruar se pjesëmarrja në këtë proces konkurrues lejohet vetëm për projekte me një kapacitet minimal prej 10 MW dhe kapacitet maksimal prej 75 MW.
“Nëpërmjet këtij procesi konkurrues MIE do të përzgjedhë projekte me një kapacitet të përgjithshëm prej 100 më, të cilët do të përfitojnë masat mbështetëse që përshkruhen më poshtë. Autoriteti kontraktues më vonë mund të vendosë që të rrisë kapacitetin total të tenderuar deri në 150 më” thuhet në njoftim.
Kohëzgjatja e marrëveshjes së zhvillimit të projektit është 15 vite pas datës së fillimit të operimit tregtar.
“Marrëveshja e blerjes së energjisë elektrike: Do të nënshkruhet për të gjithë kapacitetin total të ofertuesit të përzgjedhur kundrejt çmimit të energjisë elektrike, për një afat që fillon në datën e hyrjes në fuqi dhe përfundon 15 vjet pas datës së operimit tregtar, duke përfshirë edhe rastin e konvertimit (d.m.th. marrëveshja për blerjen e energjisë elektrike e lidhur fizikisht do të konvertohet në një kontratë për diferencë të likuiduar financiarisht) (sipas specifikimeve tëparashikuara në dokumentet e procesit konkurrues)” sqaron MIE.
Një vit më parë ministria çeli zyrtarisht ankandin për dhënien e kapaciteteve të para të impianteve eolike me marrëveshje. Ankandi u njoftua se do të kishte disa faza ku në fazën e parë që zgjat 12 muaj u vlerësuan argumentet për eksperiencën teknike, burimet financiare si dhe pozita ligjore e kompanive të interesuara.
Në fazën e dytë që nis pas 20 qershorit do të bëhet vlerësimi i ofertave. Çmimi tavan për ofertat në ankandet e energjisë nga era është vendosur 75 euro/MW që do të thotë se oferta duhet të jetë më e ulët se kjo shifër.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor