Udhëheqësit e BE-së thonë se do të bllokojnë shumicën e importeve të naftës ruse deri në fund të vitit 2022 për të ndëshkuar Moskën për pushtimin e Ukrainës.
Ndalimi në mbarë BE-në do të prekë naftën që arrin nga deti – rreth dy të tretat e importeve – por jo naftën nëpërmjet tubacionit, klauzolë kjo e vendosur nga Hungaria.
Polonia dhe Gjermania janë zotuar gjithashtu t’i japin fund importeve të tubacioneve, që do të thotë se një total prej 90% të naftës ruse do të bllokohet.
Shefi i Këshillit Evropian Charles Michel tha se marrëveshja ndërpreu një burim të madh financimi për makinerinë ruse të luftës.
Është pjesë e paketës së gjashtë të sanksioneve të miratuara në një samit në Bruksel, për të cilën të 27 vendet anëtare duhet të bien dakord.
Rusia aktualisht furnizon 27% të naftës së importuar të BE-së dhe 40% të gazit të saj. BE-ja i paguan Rusisë rreth 400 miliardë euro në vit në këmbim.
Deri më tani, nuk janë vendosur sanksione për eksportet e gazit rus në BE, megjithëse planet për të hapur një tubacion të ri gazi nga Rusia në Gjermani janë ngrirë.
Mbretëria e Bashkuar – e cila merr 8% të nevojave të saj për naftë nga Rusia – është zotuar të heqë gradualisht naftën ruse deri në fund të vitit.
Çmimet e naftës u rritën pas lajmeve për embargon e BE-së, me naftën bruto Brent që u rrit mbi 123 dollarë për fuçi, niveli i saj më i lartë që nga marsi.