Vendosni fjalën kyçe....

“Do përpiqem ta ruaj Kosovën si pjesë të Serbisë”- Vuçiç betohet për herë të dytë si president


Aleksandar Vuçiç ka bërë betimin për herë të dytë si president para deputetëve të Kuvendit më 31 maj, pasi fitoi mandatin e dytë pesëvjeçar në zgjedhjet e prillit.

“Betohem se të gjitha fuqitë e mia do t’i përkushtoj për ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë së territorit të Republikës së Serbisë, duke përfshirë Kosovën dhe Metohinë si pjesë integrale të saj.”- tha Vuçiç gjatë betimit të tij, citon REL.

Teksti i betimit është i përcaktuar me Kushtetutën e Serbisë dhe është në përputhje me preambulën e aktit më të lartë juridik të shtetit, ku thuhet se “krahina e Kosovës dhe Metohisë është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë”.

Eksperti i të drejtës kushtetuese, Bogoljub Mirosavljeviç tha për REL se: “Vuçiç i përmbahet asaj që është shkruar në Kushtetutë. Sigurisht që mund të ketë dallime të caktuara mes asaj që shkruan dhe realitetit, por kjo nuk mund ta çlirojë atë apo organet e tjera shtetërore nga detyrimi që qëndron në Kushtetutë.”

Kjo preambul u përfshi në Kushtetutën e Serbisë në vitin 2006, pas shpërbërjes së bashkësisë së Serbisë dhe Malit të Zi, kur Vojislav Koshtunica, lideri i atëhershëm i Partisë Demokratike të Serbisë, ishte në krye të Qeverisë në Beograd.