Vendosni fjalën kyçe....

‘Epidemia’ e aksidenteve, Shqipëria bilanc lufte në rrugë


66 persona kanë humbur jetën nga aksidentet në vend muajt e fundit, duke e kthyer atë në një bilanc lufte.

Vetëm në pesë muajt e fundit ngjarjet në rrugë kanë qenë me qindra e ndërsa nga aksidentet kanë ndërruar jetë 66 persona, numri i të plagosurve është disafish më i lartë.

Sipas statistikave në vend kanë ndodhur mbi 700 aksidente në pesë muajt e fundit gjatë të cilëve përveç 66 viktimave ka pasur edhe 93 të plagosur rëndë e mbi 740 të plagosur lehtë.

Në pjesën dërrmuese të aksidenteve, për to fajësohen drejtuesit e mjeteve ndërsa nuk ka asnjë analizë mbi përgjegjësitë e institucioneve shtetërore apo kompanive koncesionare që mirëmbajnë rrugët.

Aksidentet në vend mbeten një problem shqetësues dhe me kosto të mëdha për shoqërinë. Me ardhjen e emigrantëve shqiptarë që punojnë e jetojnë jashtë vendit e kthehen për pushimet e verës në vend, numri i aksidenteve në vend nuk pritet të pësojë ulje.

Pas periudhave të rënduara me aksidente ka herë pas herë aksione të Policisë Rrugore në mbarë territorin e vendit po numri i ngjarjeve në rrugë mbetet ende tejet i lartë.

Edhe pse në njoftimet e policisë mbi ndëshkimet ndaj shkeljeve në rrugë janë të mbushura plot me numra, masa duket e pamjaftueshme për një problem që vijon prej shumë kohësh e vetëm prania e policisë në rrugë nuk mjafton për ta zbutur.