Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i KLSH-së Shehu: Kemi çuar në prokurori shkeljet e faktuara, parandalimi i abuzimeve më i rëndësishëm se përllogaritja e dëmeve


Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka raportuar para Komisionit të Ekonomisë veprimtarinë e institucionit që drejton për vitin 2021.

Gjatë fjalës së tij para deputetëve, Shehu, theksoi se KLSH-ja i ka çuar në SPAK apo prokuroritë e rretheve shkeljet e gjetura gjatë kontrolleve të kryera në institucione të ndryshme.

“Në lidhje me pyetjen për kallëzimet penale, dua të parashtroj se detyra e KLSH në rastin e konstatimeve të kryerjes së veprave penale është t’i referojë ato mbi bazën e provave të plota në Prokurorinë e Posaçme apo në prokuroritë e rretheve. Dua t’ju kujtoj se nevojitet një kohë e plotë dhe nga ana e prokurorisë për konkludimet e rasteve konkrete. Siç thashë ato raste janë të bazuara në prova konkrete dhe jo në dyshime. Jam i bindur se prokuroria po kryen në mënyrë shteruese detyrën që i ngarkon ligji dhe jam i bindur se rezultatet do të jenë frytdhënëse për të gjitha institucionet shqiptare dhe për shoqërinë shqiptare.” – tha Shehu.

Ai shtoi më tej se tejet i rëndësishëm për KLSH-në është parandalimi i kryerjes së një vepre penale dhe se puna e institucioneve duhet të bashkërendohet për të parandaluar dëmet në buxhetin e shtetit.

“Ne i kemi dhënë rëndësinë e duhur përgatitjen e kallëzimeve penale në ato raste që kemi të bëjmë me veprat penale. Por më i rëndësishëm është parandalimi i kryerjes së veprës penale. Puna e të gjitha institucioneve duhet të koordinohet për të parandaluar dëmet në buxhetin e shtetit. Për më tepër duhet të fokusohemi në parandalim, pasi mendoj se është e rëndësishme të bëhet parandalimi i veprave penale se sa të bëhet përllogaritja e dëmit që e paguan taksapaguesi shqiptar. Mendoj që puna kryesore për të gjithë do të duhet të ishte koordinimi për parandalimin. Kemi pasur një lloj transparence në lidhje me publikimet, në lidhje për vënien në dispozicion të çdo akti kundrejt individëve që e kërkojnë apo mediave.” – shtoi Shehu.