Sulmuesi i Bajernit të Mynihut Robert Lewandowski tha të hënën se ai e ka mbyllur me bavarezët dhe se një transferim në verë do ishte ‘zgjidhja më e mirë për të dyja palët’.
34-vjeçari tha pas përfundimit të sezonit të kaluar se ai nuk do e rinovonte kontratën e tij me Bajernin që zgjat deri në vitin 2023 dhe madje mund të largohet këtë verë pas tetë vitesh, mes interesimit të raportuar nga Barcelona.
Drejtuesit e klubit gjerman këmbëngulën se ai duhet të përmbushte kontratën e tij, por agjenti i Lewandowskit, Pini Zahavi, tha më vonë se kjo gjë nuk do ishte e duhura për palët.
Shtatë herë golashënuesi më i mirë i Bundesligës, Lewandowski, i qëndroi së njëjtës linjë të hënën në deklaratën e tij më të fortë deri më tani për këtë çështje, në një konferencë shtypi të ekipit kombëtar polak në Varshavë përpara ndeshjeve të Ligës së Kombeve.
“Sot është e qartë, historia ime me Bajernin ka përfunduar. Pas gjithë asaj që ka ndodhur gjatë muajve të fundit, nuk mund të përfytyroj një bashkëpunim të mëtejshëm të mirë.” – tha ai.
Lewandowski shtoi: “Bajerni është një klub i respektuar. Unë shpresoj se ata nuk duan të më mbajnë mua vetëm sepse munden.”
Barcelona thuhet se ka paraqitur një ofertë me shkrim prej 32 milionë eurosh për Lewandowskin, por mbetet e paqartë se për cilën shumë do të ishte i gatshëm klubi gjerman ta linte të largohej. Raportet spanjolle thonë se bavarezët kërkojnë rreth 40 milionë euro.
Fati i Lewandowskit mund të varet gjithashtu nga fakti nëse Bajerni mund të gjejë një zëvendësues e thuhet se drejtuesit e klubit i kanë hedhur sytë nga Mane i Liverpulit.
Nëse Lewandowski urdhërohet të qëndrojë në Mynih, ai mund të largohet falas vitin e ardhshëm.