Vendosni fjalën kyçe....

ERE licencon “Karavasta Solar” për prodhimin e energjisë nga parku 140 MW


“Karavasta Solar” është licencuar së fundmi nga Enti Rregullator i Energjisë në veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike pas një shtyrjeje të mëparshme të procedurës.

Kompanisë e cila kishte bërë kërkesën pranë Entit në fund të vitit 2021 iu kërkua që të plotësonte dokumentacionin që mungonte në dosjen e saj dhe për këtë iu la 30 ditë kohë.

Sipas vendimit të ERE tashmë kompania ka plotësuar pjesën më të madhe të dokumentacionit ndërkohë që i është kërkuar që të dorëzojë brenda datës 20 qershor përgjigjen/qëndrimin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, në lidhje me informacionin kadastral të Deklaratës Mjedisore për zhvillimin e projektit të Karavastasë.

Në vendim sqarohet se nga ana e kompanisë është kërkuar që të bëhet një korrigjim dhe se mbetet në pritje të përgjigjes.

“Në lidhje me konstatimin se zona kadastrale e cituar në Deklaratën Mjedisore të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) nuk përputhet me zonën kadastrale të cituar, në dokumentacionin pronësor të depozituar nga ana e shoqërisë për qëllime të këtij aplikimi, rezulton se shoqëria i ka dërguar shkresë AKM-së, më datë 08.04.2022, ku i është kërkuar korrigjimi i të dhënave kadastrale të Deklaratës Mjedisore. Në këto rrethana vlerësohet që t’i lihet kusht shoqërisë depozitimi në ERE i përgjigjes së AKM-së, brenda datës 20.06.2022, duke marrë në konsideratë afatin prej 45 ditëve pune (duke filluar ky afat nga data e depozitimit të shkresës), brenda të cilit AKM shprehet në lidhje me aplikimet, dhe duke i lënë 5 ditë kohë shoqërisë për të depozituar këtë dokument në ERE”, thuhet në vendim.

“Karavasta Solar” është kompania shqiptare pjese e kompanisë franceze “Votlalia” e cila u shpall fituese për projektin fotovoltaik.

Kujtojmë që qeveria zhvilloi procedurën për impiantin e Karavastasë gjithë vitit 2020 dhe shpallja e kompanisë fituese në këtë rast “Voltalia” u bë në muajin maj të po atij viti.

Kompania ofroi një çmim 24,89 euro për megavat, shumë më i favorshëm sesa tavani prej 55 eurosh për megavat që kishte vendosur më herët Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në dokumentet e saj.

Parku fotovolatik i Karavastasë është projektuar me fuqi 140 MW, ku 70 megavat janë të ndara për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar. Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vite dhe do të blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor