Vendosni fjalën kyçe....

Forcat ruse marrin në kontroll qytetin Severodonjeck


Vazhdojnë të intensifikohen luftimet në lindje të Ukrainës, me forcat ruse që tashmë kontrollojnë pjesën më të madhe të qytetit kyç të Severodonjeckut në rajonin e Donbasit.

Kreu i administratës ushtarake rajonale të Luhanskut, Serhiy Hayday tha se trupat ruse tashmë kanë nën kontroll mbi 60 për qind të qytetit të Severodonjeckut. “Rusët po sulmojnë, po konsolidohen në qendër të Severodonjeckut, ndërsa vazhdojnë të shkatërrojnë infrastrukturën dhe objektet industriale. Një pjesë e trupave ukrainase tani janë “tërhequr në pozicione më të favorshme, të përgatitura paraprakisht”, ndërsa trupat e tjera vazhdojnë “luftimet brenda qytetit”.

Ministria britanike e mbrojtjes tha në përditësimin e saj të inteligjencës, më 1 qershor se sipas vlerësimeve të saj, “më shumë se gjysma e qytetit ka të ngjarë të bjerë në duart e forcave ruse dhe luftëtarëve çeçenë”.

Në raportin e inteligjencës britanike thuhet se jashtë Donbasit, “Rusia vazhdon të kryejë sulme me raketa me rreze të gjatë veprimi ndaj infrastrukturës në të gjithë Ukrainën”.