Deputetja e Partisë Demokratike ka dalë në një deklaratë për mediet sot ku i ka bërë thirrje presidentit Ilir Meta për mosdekretimin e ligjit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.
“Në cilësinë si deputete e qarkut të Vlorës, e cila mbulon edhe zonat e Sarandës dhe Finiqit, por edhe si deputete relatore për këtë projektligji në Komisionin e Edukimit, i kam dërguar presidentit të Republikës një shkresë zyrtare, një kërkesë zyrtare në të cilën i tregoj arsyet se përse ky ligj nuk duhet të dekretohet nga presidenti i Republikës.”– tha Zhupa.
Arsyeja e parë pse Zhupa e bën këtë kërkesë është se sipas saj ligji është antikushtetues sepse bie në kundërshtim me Konventën e Parisit 1972.
“Së pari, Butrinti për 10 vjet parashikohet të gjenerojë 60 milion dollarë. Së dyti fondacioni për Butrintin në 1993 i themeluar nga lordi Rothchild dhe lordi Sainsburry funksionoi në vitet më të vështira në Shqipëri, dha kontributin financiar, dhe nuk kërkoi ndonjëherë që ta merrte Butrintin as administrim, menaxhim apo edhe më pak të regjistruar në Kadastër. Gjithashtu Fondacioni Amerikan për pasuritë nënujore RPM Nautical Foundation ka dhënë 4 milionë euro për kërkime për pasuritë nënujore në Butrint, por nuk ka kërkuar kurrë që të marrë territorin nënujor në administrim. Pra nuk është arsye e mjaftueshme që shteti shqiptar për 5 milionë dollarë të japë me koncension Butrintin që gjeneron 60 milionë dollarë për 10 vitet e marrëveshjes.”- ka thënë Zhupa.
Së dyti sipas saj, ligji është formë koncensionare, e cili prodhon një model të administrimit privat me të drejta të plota mbi Butrintin.
Së treti, modelet e paraqitura nga ministria si referencë për menaxhimin e Butrinti nuk kanë asnjë të përbashkët me Ligjin. Ky është një model që nuk ekziston në asnjë vend të botës.
Së katërti, ligji ndan në dy pjesë menaxhimin e parkut, në kundërshtim me përcaktimet e UNESCO-s për menaxhimin si një i tërë. Kjo ndarje hap rrugë për ndërtime brenda dhe jashtë zonës A3.
Së pesti, mungesa e dokumentacionit nga UNESCO dhe ICOMOS
Së gjashti, ligji rrezikon historinë shqiptare dhe identitetin kombëtar shqiptar.