Nga Luke McGee
Të dielën, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç njoftoi se vendi i tij kishte rënë dakord për një marrëveshje të re trevjeçare për furnizimin me gaz me ofruesin shtetëror të energjisë të Rusisë Gazprom.
Lajmi erdhi në një kohë të vështirë dhe duke e bërë këtë, Vuçiçi krijoi një dhimbje koke të re për aleancën perëndimore anti-Putin dhe, veçanërisht, për Bashkimin Evropian.
Në anën tjetër të kontinentit, krerët e shteteve të BE-së u zhytën në negociata rraskapitëse për një paketë të gjashtë sanksionesh kundër Moskës. Marrëveshja përfundimtare, e shpallur të hënën vonë, përfshin një ndalim të pjesshëm të importeve të naftës ruse në bllok.
Por Brukseli u detyrua të bënte një përjashtim për naftën që importohet në Hungari, Sllovaki dhe Republikën Çeke nëpërmjet një tubacioni, në mënyrë që t’i bwnte të gjithë tw ishin në bord. Kjo u pa nga disa anëtarë të BE-së si një lëshim i madh.
Ndërsa Serbia nuk është një vend anëtar i BE-së, ajo është pjesë e një plani të zgjerimit të BE-së që përfshin gjithashtu disa nga fqinjët e saj. BE-ja është e vendosur të zgjerohet në lindje dhe e sheh Ballkanin Perëndimor si çelës për sigurinë evropiane – aq më tepër pas pushtimit rus të Ukrainës.
Nga këto shtete ballkanike, Serbia në veçanti shihet si vendimtare për shumë arsye.
Madhësia e saj, popullsia dhe vendndodhja gjeografike e bëjnë atë një aktor kryesor në gjeopolitikën e rajonit. Nëse doni të bëni një bisedë për të ardhmen e Bosnjës apo Kosovës, do t’ju duhet qeveria serbe në dhomë.
Megjithatë, Serbia është gjithashtu shumë e varur nga Rusia kur bëhet fjalë për gazin. Ajo është gjithashtu ushtarakisht bashkëpunuese me Moskën. Shkurt, Serbia përfiton jashtëzakonisht shumë nga marrëdhënia e saj me Rusinë, dhe edhe nëse e fiton anëtarësimin në BE, nuk do të dëshirojë t’i djegë urat e saj me Kremlinin.
Kjo krijon dy realitete të njëkohshme për BE-në që, kur vendosen pranë njëri-tjetrit, janë mjaft të vështira për t’u pajtuar.
Serbia është aq e madhe dhe e rëndësishme sa është vendimtare për projektin e zgjerimit të BE-së, i cili synon të forcojë dhe zgjerojë vlerat, stabilitetin dhe sigurinë evropiane.
Është gjithashtu aq e madhe dhe e rëndësishme sa mund të bëjë marrëveshje me Rusinë, Kinën dhe BE-në, të gjitha në të njëjtën kohë, sido që e sheh të arsyeshme dhe të jetë ende “molla e syrit” të Brukselit.
Megjithatë, kjo mund të jetë gati për të ndryshuar.
Ndërsa Serbia ka mbështetur disa rezoluta të OKB-së që dënojnë pushtimin e Rusisë, ajo nuk e ka sanksionuar Moskën ose nuk është rreshtuar me Brukselin për sanksionet kundër Moskës, diçka që pritet ta bëjnë shtetet kandidate. Zyrtarë dhe analistë të BE-së frikwsohen se marrëveshja e re e gazit rus, mund të jetë një hap shumë larg për disa vende anëtare të BE-së.
“Nëse përfundon, marrëveshja do të shkatërronte shpresat e atyre që panë një mundësi për të reduktuar ndikimin rus në rajon.”- tha Filip Ejdus, profesor i asociuar i sigurisë ndërkombëtare në Universitetin e Beogradit.
Ejdus beson se Vuçiç mund të jetë duke kërkuar të hajë tortën e tij nw kwtw. Ai parashikon se presidenti serb “me siguri do të kwmbwngulw se Serbia mbetet në rrugën e BE-së, ndërsa ndoshta ende pret një kundërofertë më të mirë nga kancelari gjerman Olaf Scholz.”
Megjithatë, Ejdus paralajmëroi se “kumari mund të dështojë këtë herë”, pasi BE ka prioritete të tjera politike për momentin; ai thotë se besimi mes dy palëve mund të dëmtohet përgjithmonë.
Nëse kjo do të thotë se bisedimet e pranimit ngecin, apo se BE-ja ka një qasje tjetër, mbetet për t’u parë. Megjithatë, nuk mund të mohohet se marrëveshja e gazit ka qenë një pilulë veçanërisht e hidhur për t’u gëlltitur nga zyrtarët dhe diplomatët në Bruksel.
“Ne jemi të shqetësuar”- i tha CNN-it një zyrtar i lartë i BE-së. “Përafrimi nga vendet jashtë BE-së është më i rëndësishëm se kurrë, për vendet brenda BE-së që po përpiqen të mbajnë linjën.”– thanë ata, duke iu referuar veçanërisht Hungarisë, shteti anëtar i BE-së që kundërshton një qëndrim të ashpër ndaj Rusisë.
Steven Blockmans, drejtor i kërkimit në Qendrën për Studime të Politikave Evropiane, i tha CNN se që nga fillimi i luftës, “BE-ja ka ushtruar presion ndaj vendeve të treta, përfshirë Kinën, që të kenë një qasje të ngjashme ndaj sanksioneve. Nëse edhe shtetet qw aktualisht po përpiqen për t’u bashkuar me BE-në anashkalojnw sanksionet, ajo u jep besim personave të jashtëm brenda bllokut për t’i bërë ballë presionit nga Brukseli për të mbështetur një qëndrim të fortë të përbashkët ndaj Rusisë.”
Dhe vështirësitë që Serbia po i shkakton Brukselit nuk përfundojnë me sanksione. “E gjithë kjo situatë është një dhimbje e madhe për ne, sepse lidhet me bisedën nëse Ukraina duhet të anëtarësohet apo jo në BE.”- tha një diplomat i lartë evropian. Ukraina aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në BE në fillim të marsit, një proces që mund të zgjasë me vite edhe kur anëtarët e bllokut mbështesin plotësisht anëtarësimin e një vendi të ri.
Zyrtarë dhe diplomatë të shumtë i shpjeguan CNN-it pse ky debat është kaq i ndërlikuar për BE-në dhe bisedën e saj të brendshme për të ardhmen e bllokut.
Disa shtete anëtare duan të përshpejtojnë procesin për Ukrainën dhe mendojnë se mungesa e harmonizimit të Serbisë me qasjen e BE-së ndaj Rusisë bën që vendet që duan të rreshtohen sa më shpejt që të jetë e mundur të marrin trajtim preferencial.
Të tjerët nuk duan që Ukraina apo vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkohen fare, nga frika se do të ndryshonin ekuilibrin e BE-së, duke u dhënë shteteve të Evropës Lindore më shumë pushtet në një bllok që historikisht ka qenë i dominuar nga vendet e Evropës Perëndimore si Gjermania dhe Franca.
Së fundi, disa shtete anëtare ndajnë një shkallë të euroskepticizmit dhe do të mirëprisnin një shtet tjetër anëtar më pak të dashuruar me thirrjet nga disa vende, veçanërisht Franca, që blloku të integrohet më ngushtë politikisht.
E gjithë kjo mund të duket e parëndësishme në skemën e madhe të gjërave, ndërkohë që një luftë po zhvillohet në kontinentin evropian. Megjithatë, pushtimi i Putinit në Ukrainë ka krijuar një mundësi që harta e sigurisë së Evropës të rivizatohet.
Në një farë mase, vendet e lidhura tradicionalisht me SHBA-në kanë kapur mundësinë për të forcuar sigurinë perëndimore me të dyja duart. Finlanda dhe Suedia duket se do t’i bashkohen NATO-s, ndërsa të tjerët, veçanërisht Gjermania, janë angazhuar për rritje të mëdha në shpenzimet e mbrojtjes.
Mbretëria e Bashkuar, jo më pjesë e BE-së, ka punuar mirë me aleatët e saj evropianë dhe ka treguar se pavarësisht Brexit-it, mund të luajë ende një rol udhëheqës në një front të bashkuar evropian.
Nga ana tjetër, kaosi dhe pasiguria gjithashtu krijon mundësi për njerëzit në pozita si ajo e Vuçiçit. Ai është i dobishëm për Brukselin dhe Moskën dhe qartë ndjen se mund të vazhdojë të luajë me të dyja skuadrat për gjithçka që vlejnë.
BE-ja është përballur me shumë vështirësi që nga fillimi i krizës në Ukrainë dhe mbajtja e të 27 vendeve anëtare në krah nuk ka qenë detyrë e lehtë. Por fakti që marrëveshja e gazit me Serbinë ndodhi në të njëjtën javë kur liderët e BE-së u takuan për të pasur një përballje mbi ndalimin e energjisë ruse (që përfundoi me një gënjeshtër) nënvizon shkallën në të cilën disa gjëra janë thjesht jashtë duarve të centralizuara të Brukselit.
Me kalimin e kohës, kjo mund të bëhet një çështje shumë e ndërlikuar për të ardhmen e projektit evropian.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e CNN/ Përshtati në shqip Hashtag.al