Vendosni fjalën kyçe....

Meta vlerëson ish-presidentin e ndjerë Nishani me dekoratën më të lartë të shtetit shqiptar


Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar sot me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, më të lartën e shtetit shqiptar, paraardhësin e tij në këtë detyrë ish-presidentin Bujar Nishani, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë.

“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta çmoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, më të lartën e shtetit shqiptar, ish-Presidentin Bujar Nishani (pas vdekjes) me motivacionin: ‘Në vlerësim të kontributeve të shquara në të gjitha detyrat e larta shtetërore, për forcimin e demokracisë dhe institucioneve, për integrimin euro-atlantik dhe evropian të vendit, për mbrojtjen dhe promovimin e interesave kombëtare.

Në nderim të integritetit dhe dinjitetit të lartë njerëzor, si model i burrështetasit që punoi me përkushtim dhe përgjegjshmëri në shërbim të atdheut’.”– njofton Presidenca.

Ish-presidenti Nishani u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare ditën e shtunë pas një sëmundje auto imune në mëlçi. Ai fillimisht mori ndihmën mjekësore në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ dhe pas rëndimit të gjendjes shëndetësore, u dërgua në Gjermani.

Nishani ushtroi detyrën e Presidentit të Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri në 24 korrik të vitit 2017. Më herët ai kishte mbajtur poste të rëndësishme në qeveri, si ministër i Brendshëm (në vitin 2007 dhe në vitin 2011), si dhe i Drejtësisë në vitin 2009.

Ish-presidenti Nishani ka lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë.