Dita e enjte e datës 2 Qershor është shpallur ditë zie kombëtare në nder të ish-presidentit Bujar Nishani, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë.
Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike do të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.
Ceremonia e homazheve shtetërore do të organizohet ditën e enjte, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në mjediset e institucionit të Presidencës.
Ish-presidenti Nishani u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare ditën e shtunë pas një sëmundje auto imune në mëlçi. Ai fillimisht mori ndihmën mjekësore në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ dhe pas rëndimit të gjendjes shëndetësore, u dërgua në Gjermani.
Nishani ushtroi detyrën e Presidentit të Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri në 24 korrik të vitit 2017. Më herët ai kishte mbajtur poste të rëndësishme në qeveri, si ministër i Brendshëm (në vitin 2007 dhe në vitin 2011), si dhe i Drejtësisë në vitin 2009.
Ish-presidenti Nishani ka lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë.
V E N D I M PËR SHPALLJEN DITË ZIE KOMBËTARE NË NDERIM TË TË NDJERIT, Z. BUJAR NISHANI, ISH-PRESIDENT, ISH-MINISTËR DHE ISH-DEPUTET
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe në vijim të pikës 12, të kapitullit VI, të ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, miratuar me vendimin nr.420, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Shpalljen ditë zie kombëtare, ditën e enjte, datë 2.6.2022, në nderim të të ndjerit, z. Bujar Nishani, ish-President i Republikës së Shqipërisë, ish-ministër dhe ish-deputet.
- Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.
- Ceremonia e homazheve të organizohet ditën e enjte, datë 2.6.2022, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në mjediset e institucionit të Presidencës.
- Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i miratuar për Kryeministrinë për vitin 2022.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ