Vendosni fjalën kyçe....

Rusia jep alarmin për rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë me SHBA-në


Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergej Ryabkov thotë se armatosja e Ukrainës nga Uashingtoni me armë më të rënda rrit rrezikun e konfrontimit të drejtpërdrejtë SHBA-Rusi, pavarësisht nga deklaratat e amerikanëve që e mohojnë se kjo mund të ndodhë.

Siç shkruan RT, diplomati rus po komentonte lajmin se SHBA-ja ka vendosur të furnizojë Ukrainën me raketahedhës të shumëfishtë HIMARS. Uashingtoni ka këmbëngulur se sistemi i armëve nuk do të lejojë që forcat ukrainase të sulmojnë Rusinë dhe argumenton se parandalon një skenar në të cilin Moska do ta konsideronte SHBA-në një palë në konflikt.

“Ne nuk po ofrojmë asnjë armë që do t’i lejojë ukrainasit të sulmojnë Rusinë nga brenda Ukrainës dhe Presidenti Biden ka qenë shumë i qartë për këtë.”- shprehej përfaqësuesja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield për dërgesat. “Ne nuk do të bëhemi një palë në luftë.”

Mirëpo zyrtari rus Ryabkov nuk u pajtua me arsyetimin e saj, duke thënë se SHBA po e bënte konfliktin më të rrezikshëm.

“Çdo furnizim me armë që vazhdon dhe përshkallëzohet, rrit rrezikun e një zhvillimi të tillë.”– u tha Ryabkov gazetarëve sipas RT-së, duke iu referuar mundësisë së një konfrontimi të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe SHBA-së.

Diplomati shtoi se SHBA për vite nuk ka bërë asgjë për të parandaluar një përshkallëzim të tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës.