Vendosni fjalën kyçe....

Japonia nuk do heqë dorë nga projekti rus i gazit – Ministri


Japonia nuk do tërhiqet nga projekti rus i gazit natyror të lëngshëm Sakhalin-2 edhe nëse i thuhet ta bëjë këtë, tha ministri i Industrisë në parlament të martën.

Komentet pasojnë kritikat nga Moska, javën e kaluar, që akuzojnë Japoninë se ka përfituar nga pjesëmarrja e saj në projekt, ndërsa është një ‘komb jomik’ që iu bashkua Perëndimit në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Sakhalin-2 është një aset që paraardhësit tanë punuan shumë për ta fituar. Pronari i tokës mund të jetë Rusia, por qiraja dhe pajisjet e lëngëzimit dhe transportit i përkasin qeverisë japoneze dhe kompanive japoneze. Ne nuk kemi ndërmend të largohemi, edhe nëse na thuhet ta bëjmë këtë.” – tha Ministri i Ekonomisë Koichi Hagiuda, cituar nga RIA Novosti.

Sakhalin-2, një sipërmarrje e përbashkët midis Gazprom të Rusisë (50%), Mitsui të Japonisë (12.5%) dhe Mitsubishi (10%) dhe Shell me bazë në Mbretërinë e Bashkuar (27.5%), është një projekt i gazit natyror të lëngshëm i vendosur në ishullin Sakhalin të Rusisë afër Japonisë.

Për shkak të afërsisë, dërgimi i furnizimeve zgjat vetëm rreth tre ditë, duke ulur kështu kostot e transportit. Japonia merr pothuajse 9% të LNG-së që i nevojitet nga Sakhalin.

Shell njoftoi planet për të lënë të gjitha operacionet e saj ruse mes një eksodi të kompanive perëndimore nga vendi për konfliktin në Ukrainë. Që atëherë, raportet e mediave thonë se gjiganti i energjisë ka qenë në bisedime me kompanitë kineze dhe indiane për të shitur aksionet e tij në projekt.

Qeveria japoneze është shprehur kundër pezullimit të bashkëpunimit energjetik me Rusinë. Kryeministri japonez Fumio Kishida tha në mars se projekti Sakhalin-2 ishte thelbësor për sigurinë energjetike të vendit.

Muajin e kaluar, Koichi Hagiuda tha se nëse Japonia do të largohej nga projektet energjetike me Rusinë, kjo do të minonte sanksionet perëndimore dhe do i jepte përfitime Moskës, pasi hapi mund të rriste më tej çmimet e energjisë.

Ai tha gjithashtu se Tokio synon të vazhdojë të mbajë koncesionet e saj në Sakhalin dhe se Japonia nuk ka ndjerë kurrë ndonjë presion nga Shtetet e Bashkuara për të dalë nga projektet energjetike me Rusinë në lidhje me Sakhalin.

Sipas gazetës Nikkei Asia, zëvendësimi i LNG-së ruse nga Sakhalin-2 do i kushtonte Japonisë 15 miliardë dollarë, me çmimin e importeve që do të ngrihej 35% nëse Mitsui dhe Mitsubishi tërhiqeshin nga projekti energjetik.

Ekspertët theksojnë se Rusia mund të ridrejtojë importet e saj drejt vendeve të tjera aziatike, si Kina, India ose Vietnami, nëse Japonia vendos të tërhiqet.