Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministri italian e ka ndarë mendjen: Sanksionet kundër Rusisë do zgjasin shumë gjatë


Sanksionet e BE-së të vendosura kundër Rusisë për shkak të operacionit të saj ushtarak në Ukrainë do të zgjasin për shumë vite, tha kryeministri italian Mario Draghi para gazetarëve pas një takimi të Këshillit Evropian.

Kufizimet, që tani pritet të ndikojnë në tregtinë e naftës, do ndryshojnë rrugët tregtare ndërkombëtare ‘për shumë vite, mbase përgjithmonë’, beson Draghi.

Duke folur për tregtinë e energjisë, kryeministri italian tha se ‘nuk mund ta përfytyrojmë që pas konfliktit, politika jonë energjetike të kthehet si më parë’. BE-ja duhet të lëvizë tani për të gjetur furnizues të rinj të energjisë ‘në planin afatgjatë’.

Kryeministri gjithashtu përshëndeti samitin e fundit të BE-së si një sukses, duke vënë në dukje faktin se nuk ishte e mundur të paramendohej që të gjitha vendet anëtare të BE-së do bashkoheshin për një embargo prej rreth 90% të naftës ruse vetëm pak ditë.

Pas disa javësh diskutimesh, vendet e BE-së ranë dakord herët të martën të ndalojnë 90% të importeve të naftës ruse deri në fund të këtij viti, si pjesë e paketës së gjashtë të sanksioneve. Masat synojnë naftën bruto ruse të dorëzuar nga deti, ndërsa lejojnë një përjashtim të përkohshëm për karburantin nga tubacioni, për të fituar mbështetjen e Hungarisë dhe vendeve të tjera pa dalje në det.

Draghi ka thënë se Italia nuk do të preket nga vendimi pasi afati i caktuar për në fund të vitit 2022 i jep kohë për t’u përgatitur. Italia gjithashtu do të vazhdojë të blejë gazin rus në përputhje me një skemë të sugjeruar nga gjiganti energjetik rus Gazprom, ka konfirmuar ai.

Sipas kryeministrit, sanksionet perëndimore të miratuara deri më tani do kenë ndikim maksimal në ekonominë ruse ‘nga kjo verë e tutje’.

Udhëheqësi italian ka thënë gjithashtu se ‘pothuajse të gjitha kombet kryesore’ brenda BE-së, përveç Italisë, kundërshtojnë pranimin e Ukrainës në bllok.