Vendosni fjalën kyçe....

Lamtumira për Bujar Nishanin – Fjalimi i të birit: Babai im për 3 gjëra nuk bënte kurrë kompromis


Ditën e sotme u mbajtën në Presidencë homazhet në nder të ish-presidentit Bujar Nishani, i cili u nda nga jeta javën e kaluar pas një sëmundjeje autoimune në mëlçi.

Në homazhet për ish-kreun e shtetit morën pjesë personalitetet më të larta nga vendi e Kosova si dhe ambasadorë.

Arkëmorti i ish-Presidentit të Republikës Bujar Nishani u përcoll me një minutë heshtje për në banesën e fundit.

Ish-presidenti Nishani la pas bashkëshorten Odetën, djalin Ersin dhe vajzën Fjonën, të cilët së bashku me babain e ish-kreut të Shtetit zotin Faik Nishani pritën ngushëllimet e të afërmve, miqve dhe të personaliteteve të larta nga politika.

Djali i tij Ersi Nishani, mbajti një fjalim të shkurtër në varrezat e Sharrës, ku tha se familjes i humbi busulla e saj.

Djali: Babai im për 3 gjëra nuk bënte kurrë kompromis

Ersi Nishani tha se babai i tij kishte tre gjëra për të cilat nuk bënte kurrë kompromis: familjen, Zotin dhe Atdheun.

“Ju falënderoj doktor për fjalët e ndjera.

Ju falënderoj të gjithëve për praninë tuaj. Na keni lehtësuar dhimbjen sado pak këto ditë.

Babai im për tre gjëra nuk bënte kurrë kompromis, për familjen, Zotin dhe Atdheun.

Famila jonë sot i jep lamtumirën busullës së saj drejtuese.

Kombi shqiptar i jep sot lamtumirën një shërbëtori të përulur.

Zotit i shtohet një engjëll në Parajsë.

Lamtumirë baba, të qoftë dheu i lehtë.”- ishin fjalët e tij.

Vajza e Nishanit dhe bashkëshortja e tij janë përlotur gjatë fjalëve të tij.

Berishën e mbysin lotët: U prehtë në paqe miku im!

Ish-kryeministri Sali Berisha ka lexuar mesazhin e fundit të lamtumirës për mikun dhe bashkëpunëtorin e tij, ish-Presidentin e Republikës Bujar Nishani.

Pasi shprehu vlerësimet e tij për Nishanin si mik dhe president, Berisha nuk arriti dot ta përfundonte mesazhin pasi e mbytën lotët.

Pasi qëndroi pak, e mblodhi veten dhe e përfundoi fjalën me lutjen që Nishani të prehet në paqe.

“Jemi këtu rreth teje të përcjellim me dhimbje të madhe në udhëtimin tënd të përjetshëm të parakohshëm që nis pasi ke ngjitur si rrallëkush shkallët e jetës dhe të detyrës. Megjithëse largohesh nga ne përgjithmonë, për sa kohë ne do jetojmë d mbetesh i gjallë me veprat, finsikërinë, përkushtimin, shërbimet e çmuara ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Me ne mbetet dhe do jetojë gjithmonë Bujar Nishani, njeriu i dashur, atdhetar, shërbëtor i përkushtuar i qytetarëve, demokrat i flakët dhe guximtar, burrështetas fisnik.

Sot këtu para teje ne jemi më të paktë në vete. Odeta ndihet sot më e paktë, më e trishtë se kurrë në jetën e saj për bashkëshortin fisnik që u largua para kohe.

Për Ersin, Fjonën sot është dita më e dhimbshme e jetës së tyre, por ata do jenë krenarë që patën fatin të kenë një baba si ti. Për Baba Faikun sot zija është më e rëndë se toka, por ai përsëri ndihet krenar se rriti një djalë si ti që i zbardhi faqen.

Për të gjithë ne të tjerët që patëm mundësi të njohim e bashkëpunojmë, do mbetesh një burim i pashtershëm frymëzimi dhe do kesh përgjithmonë mirënjohjen.

Dua të shpreh mirënjohje të thellë për familjen tënde dhe për ata që bën gjithçka që ti të mos niseshe në këtë rrugë. U prehtë në paqe… (përlotet dhe ndërpret fjalën në mes).

 U prehtë në paqe miku im i dashur, i lehtë qoftë dheu i tokës sonë, lamtumirë!”– tha Berisha i cili u kthye pranë bashkëshortes së tij, zonjës Liri Berisha dhe piu pak ujë për t’u qetësuar.

Fjalimi i Metës: Nishanit i peshonte fjala

Presidenti Ilir Meta mbajti një fjalim gjatë ceremonisë shtetërore të lamtumirës në nderim të ish-Presidentit, Bujar Nishani në Presidencë.

Ai u shpreh se presidentit Nishani i peshonte fjala dhe se ai do të mbahet mend për qetësinë, forcën e argumentit, dhe besnikërinë ndaj parimeve dhe vlerave të cilat i besonte.

Fjalimi i plotë i Metës:

Faleminderit të gjithëve për praninë tuaj sot, për të nderuar dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit, ish-Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.

Fundi i papritur dhe i parakohshëm i jetës, le plot pengje për mundësitë e humbura, për ato që nuk u thanë dhe për ato, që nuk u bënë dot.

Ndaj dhembja për humbjen e pakohë të njerëzve të shtrenjtë dhe të rrallë e bën të vështirë gjetjen e fjalëve që mund t’i kurojnë këto plagë njerëzore.

Por na ngushëllon fakti që Bujar Nishani pati një jetë plot maja realizimesh dhe përjetimesh fatlume.

Ai ishte i rrethuar nga dashuria e familjes së prindërve, dhe asaj që krijoi më pas së bashku me Odetën si një bashkëshort i devotshëm, dhe baba shembullor i dy fëmijëve të mrekullueshëm, Ersi dhe Fiona.

Për Presidentin Bujar Nishani këto ditë ka patur vlerësime mëse të merituara nga shumë personalitete të jetës politike dhe publike në Shqipëri dhe përtej.

Kanë folur bashkëpunëtorët, miqtë, dashamirësit, homologët, dhe kolegët nga i gjithë spektri politik.

Mbi të gjitha kanë folur shqiptarët, kanë folur edhe miqtë e Shqipërisë.

I ardhur në politikë nga Forcat e Armatosura, Presidenti Nishani solli virtytet më të mira të ushtarakëve tanë në jetën politike dhe institucionale të vendit. Ai mishëroi integritetin, ndjenjën e lartë të detyrës dhe patriotizmin.

Bujar Nishani e shihte politikën si artin e së mundshmes, dhe besonte se ajo ishte instrumenti më efektiv për të sjellë ndryshime pozitive.

Bujar Nishani besonte te demokracia dhe shteti ligjor! Këtë bindje e dëshmoi më së miri edhe në drejtimin e ministrive shumë të rëndësishme, si Rendi dhe Drejtësia.

Presidentit Nishani i peshonte fjala!

I njohur për maturinë dhe vetëpërmbajtjen, ai çmohej për thjeshtësinë dhe përulësinë në komunikimin publik e njerëzor, tipare që i mbetën të pandryshueshme gjatë gjithë jetës.

Ai do të mbahet mend për qetësinë, forcën e argumentit, dhe besnikërinë ndaj parimeve dhe vlerave të cilat i besonte.

Si Kryetar i Shtetit, Bujar Nishani, punoi me përkushtim të rrallë në mbrojtje të Kushtetutës.

Ai ishte i vendosur dhe i angazhuar për ndërtimin e shtetit të së drejtës, dhe për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve tanë.

Ai punoi për të forcuar frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare në vend, dhe në çdo rast ju përkushtua interesit të Shqipërisë dhe kombit tonë.

Bujar Nishani besoi deri në fund tek demokracia, e mira publike dhe sidomos interesi kombëtar.

Si President i zgjedhur në 100-vjetorin e shtetit shqiptar, ai i mishëroi këto parime duke imponuar respekt tek të gjithë kolegët e burrështetasit e huaj, tek bashkëpunëtorët e tij, por edhe tek kundërshtarët politikë.

Bujar Nishani ushqente një dashuri të veçantë për Kosovën, të cilën e shfaqte plot krenari dhe mbeshteti fort njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës edhe në shërbim të stabilitetit dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti Nishani pati një bashkëpunim të shkëlqyer me të gjithë faktorin politik shqiptar në rajon.

Ai diti të vendosë dhe të ruajë shumë mirë ekuilibrat mes marrëdhënieve institucionale dhe atyre vëllazërore.

Presidenti Nishani punoi me devocion për projektet strategjike të integrimit europian dhe euro-atlantik të Shqipërisë, për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, për bashkëpunimin gjithëpërfshirës me të gjitha vendet e rajonit dhe me vende e të tjera mike në botë.

Ai e përfaqësoi denjësisht Shqipërinë dhe shqiptarët në arenën ndërkombëtare, duke mbrojtur gjithmonë të vërtetat dhe prioritetet, që i shërbenin interesit publik dhe atij kombëtar.

Sot në ditën e lamtumirës, ne e falenderojmë Presidentin Nishani, për modelin që ai solli si shtetar, politikan, familjar dhe qytetar shembullor.

I paharruar qoftë kujtimi i Presidentit Bujar Nishani!”