Vendosni fjalën kyçe....

Polonia dëshiron të ndërpresë ndihmat për refugjatët ukrainas: Katër muaj janë boll


Qeveria polake beson se shumica e refugjatëve ukrainas në Poloni janë në gjendje të fitojnë jetesën e tyre, kështu që synon të shkurtojë ndihmën e saj për ta. “Katër muaj ndihmë janë të mjaftueshme”- u citua nga media polake të thoshte një politikan i nivelit të lartë nga partia në pushtet PiS.

Polonia ka pranuar mbi 3.5 milionë njerëz që ikën nga Ukraina që nga fillimi i operacionit ushtarak rus në shkurt. Varshava ofroi një sërë përfitimesh, por tani po planifikon t’i shkurtojë. Duke filluar nga ky muaj, refugjatët nuk do të marrin më bileta falas për transportin publik dhe në korrik, shumë prej tyre nuk do të marrin më një pagesë ditore (rreth 9.33 dollarë në ditë) për ushqim dhe strehim.

Vendimi u njoftua të hënën nga zëvendësministri i Brendshëm Pawel Szefernaker gjatë një interviste për TVP Info. Zyrtari tha se qeveria nuk do të paguajë më ukrainasit që janë në gjendje të sigurojnë veten. Do të bëhen përjashtime për njerëzit që kanë arsye legjitime për të mos gjetur një punë në Poloni, si ata me aftësi të kufizuara, gratë shtatzëna ose nënat që kujdesen për fëmijë të shumtë.

Szefernaker vuri në dukje se numri i refugjatëve ukrainas në Poloni ka rënë që nga mesi i majit.

Ukrainasit që kërkojnë punësim në Poloni mund ta bëjnë këtë dhe shumë e kanë bërë, tha një politikan i paidentifikuar i rangut të lartë nga partia qeverisëse PiS për gazetën Rzeczpоspolita, duke komentuar ndryshimin e politikës. Sipas tij, qeveria dëshiron të shtyjë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Ai tha se katër muaj ndihmë u jep refugjatëve kohë të mjaftueshme për t’u përshtatur.

Gazeta bisedoi me zyrtarë nga disa rajone të Polonisë dhe disa janë skeptikë për vendimin. Jan Golba, kryebashkiaku i Muszyna, një qytet në jug të vendit, tha se afati njëmujor është jorealist dhe bëri thirrje për një zgjatje të ndihmës me të paktën një muaj. Golba tha se komuniteti i tij ka pritur 400 ukrainas, nga një maksimum prej 1 mijë e 300 dhe vetëm 60 prej tyre gjetën punë.

“Kushdo që dëshiron të punojë do të gjejë punë. Dhe kushdo që nuk dëshiron – asgjë nuk do ta detyrojë ta bëjë këtë.”– tha kryebashkiaku.

Piotr Dlugosz, një studiues i komunitetit ukrainas në Poloni, i tha Rzeczpоspolita se humbja e përfitimeve nuk do të jetë një goditje e madhe për shumicën prej tyre. Mbi 70% e refugjatëve kanë mjetet e tyre për të jetuar, tha ai, duke shtuar se ai pret që shumë marrës të ndihmës thjesht të kthehen në Ukrainë pasi të ndërpritet ndihma nga vendet pritëse, gjë nga e cila sipas tij do të përfitonte vetë Ukraina.

“Nëse ky grup i ri dhe dinamik me kapital të lartë njerëzor nuk kthehet, do të jetë e vështirë për ukrainasit të krijojnë një shtet të fortë dhe modern.”– tha Dlugosz.

Varshava i bëri thirrje më parë BE-së që t’i japë më shumë para për të mbuluar koston e ndihmës së refugjatëve. Polonia ka nevojë për miliarda euro, por Komisioni Evropian ofroi 144.6 milionë euro, tha Szefernaker për mediat polake javën e kaluar.