Vendosni fjalën kyçe....

Rama merr tjetër çmim në “New York” për strehimin e afganëve: Turp për vendet e pasura që refuzuan


Kryeministri Edi Rama është nderuar sot me një tjetër çmim në New York për strehimin e afganëve në vendin tonë.

Gjatë fjalës së tij, Rama e konsideroi të turpshëm veprimin e vendeve të pasura që nuk i pranuan afganët.

 “Jam shumë, shumë mirënjohës, por jam edhe tejet i keqardhur, që më duhet të përsëris diçka që e kam thënë shumë herë, sa në pozitë ndihem. Mos më keqkuptoni, është një nder, nder i madh e, gjithashtu, një kënaqësi e madhe që gjendem sot këtu, po nuk arrij dot ende të bëj paqe me faktin që ajo çka duhej të ishte rregulli, është përjashtim.

Më duhet t’ju them, duke qenë se jemi këtu pas dyerve të mbyllura e nuk na dëgjon kurrkush, se ajo çfarë ndjeva përballë kaq shumë hezitimi dhe kaq shumë refuzimesh që vinin nga vende mjaft më të pasura për t’iu hapur dyert afganëve ka vetëm një emër: ‘Turp’.

Shumë njerëz më kanë pyetur: ‘Pse? Pse do ta bënte Shqipëria këtë? Pse do e merrja unë këtë vendim?’ Ndoshta, edhe në këtë sallë ka njerëz që pyesin veten ‘pse”, si ndodhi që një prej vendeve më të varfra të Europës ishte një ndër vendet e para që u hapi dyert njerëzve, që përpëliteshin mes jetës e vdekjes.

Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë në historinë tonë, që është një histori mikpritjeje, një histori respekti karshi njerëzve në nevojë, një histori e mishëruar në kushtetutën tonë të parë, kodin e shqiptarëve, ku shkruhet: ‘Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut’. Me ‘mik’ nuk nënkuptohej thjesht ai që ftohej, por ai që të trokiste derë, se gjendej në nevojë. Në bazë të këtij kodi, trokitja në derë është vullneti i Zotit dhe ti duhet ta hapësh. Kujtdo që i bie asaj dere i duhet dhënë strehë, kujdes dhe mbrojtje.

Ndoshta këtu e ka zanafillën arsyeja se pse Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë që pati më shumë hebrenj pas luftës sesa para saj; vendi ku asnjë hebre, as edhe një i vetëm, nuk iu dorëzua nazistëve. Në ato kohëra aq tragjike, kur hebrenjtë braktisnin shtëpitë e tyre kudo në Europë, Shqipëria u bë vendi tek i cili hebrenjtë vinin, nuk iknin; vinin për t’u mbrojtur.”- tha Rama.

Rama u vlerësua në darkën vjetore të Sesame Workshop me çmimin prestigjoz “Joan Ganz Cooney Global Leadership Award”.

Kujtojmë se edhe në dhjetor të vitit 2021, po në New York, Rama mori çmimin “Vital Voices Global” që iu dorëzua nga ish-sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilary Clinton. Po për të njëjtën arsye, strehimin e afganëve në Shqipëri.