Vendosni fjalën kyçe....

“SHBA do dërgojë sisteme raketash të përparuara në Ukrainë” – Biden


SHBA do i sigurojë Ukrainës ‘sisteme raketash më të përparuara’, zbuloi presidenti Joe Biden në një artikull të botuar në Neë York Times.

Uashingtoni ra dakord të dërgojë raketahedhës të shumtë pasi Kievi dha garanci se armët me rreze të gjatë nuk do të përdoren për të goditur territorin rus, raportuan disa media të martën, duke cituar zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.

Sistemi i raketave të artilerisë me lëvizshmëri të lartë M142 (HIMARS) mund të godasë objektivat deri në 50 milje larg. Dërgesat e planifikuara thuhet se janë pjesë e një pakete ndihme ushtarake prej 700 milionë dollarësh për Ukrainën që është shpallur të mërkurën. Marrëveshja thuhet se përfshin gjithashtu më shumë sisteme raketash antitank ‘Javelin’, radarë të ndryshëm dhe municione.

Biden nënshkroi një projektligj muajin e kaluar që i siguron Kievit ndihmë me vlerë 40 miliardë dollarë. Në artikullin e tij, Biden shkroi se ai kishte vendosur t’u ‘siguronte ukrainasve sisteme më të përparuara raketash dhe municionesh që do u mundësonin atyre të godasin më saktë objektivat kryesore në fushën e betejës në Ukrainë’.

Biden shtoi se Uashingtoni nuk kërkon një luftë midis Rusisë dhe NATO-s, apo ndryshim regjimi në Rusi. “Për aq sa nuk jam dakord me zotin Putin dhe i konsideroj veprimet e tij një fyerje, Shtetet e Bashkuara nuk do të përpiqen të sjellin rrëzimin e tij në Moskë.” – shkroi Biden.