Policia e Sarandës ka shpallur në kërkim dy biznesmenë, në kuadër të operacionit të djeshëm të Prokurorisë për tjetërsimin e një toke 10 mijë metra katrorë, operacion që çoi në pranga disa zyrtarë: shefin e Urbanistikës në bashkinë e qytetit, si dhe juristen e ASHK-së.
Dy biznesmenët e shpallur në kërkim janë Behar dhe Bedri Mucobega, përkatësisht 40 dhe 51-vjeç.
Sipas policisë, Behar Muçobega akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, ndërsa i vëllai Bedri Muçobega akuzohet për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ata akuzohet si përfitues të trojeve përmes dokumenteve të falsifikuara.
Njoftimi i policisë:
Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë ekzekutuan urdhrin e ndalimit të datës 01.06.2022, dhënë nga prokurorët e Rrethit Gjyqësor Sarandë, ndaj shtetasve A. A., 54 vjeç, P. Zh., 40 vjeç dhe R. A., 33 vjeçe, banues në Sarandë, pasi këta shtetas akuzohen se kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, si dhe ekzekutuan urdhrin e ndalimit ndaj shtetasve V. Ll., 54 vjeç, F. M., 61 vjeç, dhe A. C., 57 vjeçe, banues në Sarandë, pasi në ngarkim të këtyre shtetasve, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë ka ngritur akuzë për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Gjithashtu në bazë të urdhrave të ndalimit, po nga oficerët e Policisë Gjyqësore u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve B. M., 40 vjeç, banues në Sarandë, pasi akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, dhe B. M., 50 vjeç, banues në Sarandë, pasi akuzohet se ka kryer veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.