Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj thotë se nesër nuk do të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e Presidentit të ri. Po ashtu as deputetët e grupit parlamentar të PD-së që janë mbështetës të tij dhe jo të Sali Berishës.
“Bojkot do të ishte sikur ne mos të merrnim kurrsesi pjesë në proces. Ne nesër nuk marrim pjesë në votim. Shqiptarët i kanë parasysh të gjitha sforcot tona. Është proces, i cili vetëm nga ne nuk u bojkotua.”- deklaroi sot Alibeaj.
Sipas tij, grupi parlamentar demokrat u bë pjesë e procesit duke kërkuar një President mbi palët. Por sipas tij u provua se kryeministri Edi Rama nuk kishte asnjë lloj synimi për t’iu dhënë qytetarëve një president përfaqësues të të gjithë shqiptarëve.
“Ne jemi futur në këtë proces, duke kërkuar zgjedhjen e një Presidenti mbi palët, zgjedhjen e presidentit të shqiptarëve, qytetarit të parë që duhet të simbolizojë unitetin e popullit.
Kjo ishte arsyeja pse që në fillim, duke respektuar detyrimet kushtetuese, morale, politike, ndaj zgjedhësve tanë, ne u futëm në mënyrë të hapur në këtë proces, duke marrë pjesë e duke përcaktuar rregulla, se si procesi do duhej të ishte i përbashkët, në mënyrë që dhe produkti të ishte i gjithëpranuar dhe të jepte garanci për ushtrimin në mënyrë normale të detyrës së Presidentit. Nuk është një proces normal, sikur s’ka ndodhur asgjë.
Ajo që kam thënë në fillim u provua. Rama nuk kishte asnjë lloj synimi për t’iu dhënë qytetarëve një president përfaqësues të të gjithë shqiptarëve. Po zgjedh një zgjatim të tij, një president siç kanë thënë non-gratat e tij. Presidenti duhet të ishte mbi të gjitha palët siç ne propozuar.”- theksoi Alibeaj.