Vendosni fjalën kyçe....

Lufta në Ukrainë/ Zelensky thotë se Rusia kontrollon një të pestën e territorit ukrainas



Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky thotë se forcat ruse kanë kapur 20% të territorit të vendit të tij, ndërsa pushtimi i Moskës po i afrohet ditës së 100-të.

Duke iu drejtuar ligjvënësve në Luksemburg, ai shtoi se vija e frontit shtrihej për më shumë se 1 mijë km (621 milje).

“Të gjitha formacionet ushtarake ruse të gatshme për luftim janë të përfshira në këtë agresion.”- u tha ai deputetëve përmes një videomesazhi, citon BBC.

Forcat ruse kanë intensifikuar sulmet në qytetin Severodonetsk në rajonin lindor të Donbasit.

Zyrtarët e mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar thonë se Rusia ka pushtuar pjesën më të madhe të qytetit dhe po arrin “përfitime të qëndrueshme lokale, të mundësuara nga një përqendrim i madh i artilerisë”.

Severodonetsk është qyteti më lindor nën kontrollin e Ukrainës dhe guvernatori rajonal Serhiy Haidai tha se Rusia po përpiqej të thyente mbrojtjen në qytet “nga të gjitha drejtimet”.

Megjithatë, ai tha se trupat ukrainase po kryenin kundërsulme, “duke zmbrapsur armikun në disa rrugë dhe duke marrë disa të burgosur”.

Ai tha se luftimet intensive rrugë më rrugë në qytet kishin penguar evakuimetm duke i përshkruar këto përpjekje si “jashtëzakonisht të rrezikshme”.

Në një fjalim me video të enjten vonë në mbrëmje, Zelensky tha se situata në Donbas nuk kishte ndryshuar ndjeshëm atë ditë, por se ukrainasit kishin përjetuar “disa suksese” në betejat në Severodonetsk.

Rreth 15 mijë civilë mbeten të bllokuar në qytet, me shumë prej tyre që po strehohen në fabrikën masive kimike Azot.