Vendosni fjalën kyçe....

“Nesër nuk votojmë për Presidentin e ri”- Balla i përgjigjet Alibeajt: “Përsëri bojkot?! Po fyeni dhe shpërfillni zgjedhësit tuaj”


Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka reaguar lidhur me deklaratën e kryetarit të Grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj se nesër nuk do të marrin pjesë për të votuar për presidentin e ri të Republikës.

Balla shkruan se bojkoti nuk sjell kurrë ndonjë përfitim dhe se është fyerje dhe shpërfillje e delegimit të sovranitetit të zgjedhësve.

“PD i rikthehet bojkotit të Kuvendit?! ‘Të kërkosh suksesin nuk do të thotë të mos bësh gabime, por të mos bësh të njëjtin gabim për herë të dytë’, apo të tretë, – pat thënë George Bernard Shaë. Bojkoti nuk sjell kurrë ndonjë përfitim, ai është thjeshtë fyerje dhe shpërfillje e delegimit të sovranitetit të zgjedhësve.”– shkruan Balla.

Ky reagim vjen pasi më herët, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se nesër nuk do të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e Presidentit të ri. Po ashtu as deputetët e grupit parlamentar të PD-së që janë mbështetës të tij dhe jo të Sali Berishës.

“Bojkot do të ishte sikur ne mos të merrnim kurrsesi pjesë në proces. Ne nesër nuk marrim pjesë në votim. Shqiptarët i kanë parasysh të gjitha sforcot tona. Është proces, i cili vetëm nga ne nuk u bojkotua.”- deklaroi sot Alibeaj.