Duket se në PS-në e Shkodrës kanë nisur përplasjet. Një nga kandidatët në garë për kryetar të Partisë Socialiste në Shkodër, Arbis Vjerdha ka ngritur akuza të forta kundër ministres së Shtetit për Sipërmarrjen Edona Bilali, e cila është njëherësh koordinatore politike e qarkut Shkodër.
Vjerdha thotë se Bilali ka tentuar ta përjashtojë atë nga gara.
“Kam depozituar dokumentacionin e nevojshëm për kryetar të PS, por lufta brenda llojit vijon të jete prezente dhe koordinatorja Bilali, duke parë që Arbisi nuk duhet të jetë në planet e saj, vendos kundër propozimit të kryeministrit, që emri im të mos jetë.
Ajo në asamble propozon që personat që nuk përfaqësojnë PS në këshillin bashkiak, që i bie të jem vetëm unë, nuk mund të kandidojnë. Kjo tregon nivelin arkaik që ka qeveria jonë me zgjedh një person të tillë që i servir Shkodrës për ta drejtuar politikisht. I bëj thirrje, që nëse e do partinë, nëse e do dinjitetin dhe ke respekt për veten, në zgjedhje transparente, me meritokraci, që t’i ofrosh Shkodrës një person që bën ndryshimin.
Mos merrni njerëz të mbytur në borxhe për t’i bërë drejtorë. PS ka nevojë për ndryshim. Nuk ka nevojë për njerëz që i ndërrojnë perdet. Duhet ndryshuar struktura, e kjo nuk bëhet për qëllimet personale të Bilalit. Të hidhet në votim dhe jo të bëhen përjashtime.”– tha Vjerdha.
I pyetur nga gazetarët për emrat që përfliten për kreun e partisë Socialiste të kësaj dege, Vjerdha nuk pranoi të komentonte.
“Unë nuk merrem me gojët e liga, sepse thonë që drejtoresha e postës, shoqe e ministres, do ta zgjedh kryetare partie. Janë fjalë dhe jo baza, prandaj unë po them që për mua është vendos mos të jem, ky është fakt.
Unë do të bëj lëvizjet e mia, por i them ministres, se aq vite sa ke ti moshë, unë i kam në parti duke protestuar e duke dhënë kontribut.”– deklaroi kandidati Vjerdha.