Një tjetër ngjarje tragjike ka ndodhur në SHBA, ku një burrë qëlloi dhe vrau dy gra në parkingun e një kishe në shtetin e Iowa-s të enjten dhe më pas ia ktheu armën vetes.
Të shtënat në Ioëa ndodhën menjëherë pasi Presidenti Joe Biden mbajti një fjalim të madh mbi dhunën me armë pas të shtënave masive në Nju Jork, Teksas dhe Oklahoma, javët e fundit.
Ndërkohë në një incident tjetër me armë të enjten u plagosën dy persona që merrnin pjesë në një varrim në varrezat në Racine, Wisconsin.
Kthehemi tek ngjarja në Iowa. Të shtënat jashtë Kishës Cornerstone, një kishë e krishterë fundamentaliste në lindje të qytetit të Ames.
Kur policët mbërritën në vendngjarje, ata gjetën të tre të vdekur.
Kështu tha Nicholas Lennie, zëvendës shefi i Zyrës së Sherifit të Qarkut Story. Ai shtoi se nuk mund të jepte identitetet dhe as të zbulonte se çfarë mund të kishte qenë marrëdhënia mes personave të përfshirë në ngjarje.
“Ky duket të jetë një incident i izoluar.”– tha Lennie.
Pak më parë, Biden i kërkoi Kongresit të ndalojë armët sulmuese, të zgjerojë kontrollet e sfondit dhe të zbatojë masa të tjera të kontrollit të armëve për të adresuar të shtënat masive.
“Mjaft, mjaft!”- tha presidenti sipas Reuters.
Shtetet e Bashkuara janë tronditur javët e fundit nga të shtënat masive që vranë 10 banorë me ngjyrë në veri të Nju Jorkut, 19 fëmijë dhe dy mësues në Teksas dhe dy mjekë, një recepsionist dhe një pacient në Oklahoma.