Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj: PD s’mund të ishte garniturë e fasadë e Ramës në zgjedhjen e presidentit, proces farsë


Kreu i grupit parlamentar të PD-së Alibeaj e ka quajtur farsë seancën për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Në një shënim në Facebook ai shkruan se pjesëmarrja në opozitës në sallë i duhej kryeministrit Rama vetëm për fasadë.

Alibeaj shkruan se grupi parlamentar i opozitës vendosi të mos marrë pjesë në seancë pasi nuk mund të ishte pjesë e kulisave e pazareve.

“Seanca për zgjedhjen e Presidentit të Republikës ishte farsa e radhës për të cilën opozita i duhej Ramës vetëm për fasadë. Për shqiptarët e mësuar me lojërat e politikës së vjetër, shfaqja e sotme, që nga propozimi i emrit, procedurat e përshpejtuara dhe përfshirja e non gratave të Parlamentit, dëshmuan dhe njëherë se nuk ka asnjë të re nga fronti i atyre që mbajnë njëri-tjetrin në skenën e politikës. Grupi parlamentar i PD vendosi të mos marrë pjesë në këtë seancë fasadë votimi, sikundër në mënyrë tejet transparente, përgjatë disa takimeve mediatike ne sy të publikut u tregoi shqiptarëve që nuk bëhet pjesë e bojkotit të institucioneve apo negociatave, kulisave apo pazareve. Por kurrsesi nuk mund të shndërrohej në garniturë të pjatës së servirur nga Edi Rama.” – shkruan ai.

Deputeti demokrat shkruan më tej se vendi nuk ksishte nevojë vetëm për një president të të gjithëve por mbi të gjitha për një proces gjithëpërfshirës e të vërtetë që do i jepte kreut të shtetit besimin e të gjithë shqiptarëve.

“Shqipëria kishte nevojë jo vetëm për një President të të gjithëve, por mbi të gjitha për një proces gjithëpërfshirës, transparent e real, i cili t’i jepte atij besimin e të gjithë shqiptarëve. Produkti i këtij procesi do mund të shihej kështu si bartës i unitetit të popullit, si njeriu mbi palët, si zbutës e moderator i klimës politike dhe si rregullator i ngërçeve insititucionale. Presidenti i Republikës forcën e vet e merr nga besimi dhe legjitimiteti që populli i jep. Ishte ky detyrimi që secila palë politike, e cila pretendon të përfaqësoje sinqerisht shqiptarët, duhej të angazhohej e të përmbushte kështu detyrimin e saj kushtetues, politik dhe institucional. Këtë besuam e besojmë, dhe kësaj i shërbyem. E sotmja po, por edhe e ardhmja do na gjykojë e japë të drejtë!” – mbyll shënimin Alibeaj.