Kandidati për presidenti Bajram Begaj ka mbërritur në Kuvend me makinën e Ministrisë së Mbrojtjes. Sot në orën 18:00 pritet që ai të zgjidhet presidenti i ri i vendit pas propozimit nga ana e PS-së.
Sot do zhvillohet raundi i katërt për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit dhe PS-ja i ka 71 votat që i duhen.
Më herët presidenti Meta nënshkroi nga Stambolli dekretin që lironte gjeneral Begajn nga detyra e tij si Shef i Shtabit të Ushtrisë duke i hapur rrugën zgjedhjes së tij.
Në të kundërt Begaj do kishte qenë i papërshtatshëm për t’u zgjedhur duke qenë se do ishte ushtarak aktiv, gjë të cilën e ndalon Kushtetuta.
PD-ja e përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit ka shprehur votën e saj kundër emrit të Begajt duke e quajtur atë një ushtarak aktiv dhe propozimin e tij shkelje të Kushtetutës nga ana e PS-së.
Kjo e fundit miratoi emrin e Begajt në mbledhjen e para pak orëve në Komisionin e Ligjeve duke i hapur rrugën zgjedhjes së tij.