Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Begaj kaloi nga karrigia e shefit të shtabit në atë të presidentit, socialstët shkelmuan Kushtetutën


Ish-kryeministri Berisha ka deklaruar jashtë parlamentit se deputetët po shkelmojnë Kushtetutën në mënyrën flagrante në procesin për zgjedhjen e presidentit të ri.

Ai e kërkoi më herët fjalën në Kuvend, ku po votohet zgjedhja e Begajt si president, por kryetarja e Kuvendit nuk e lejoi duke deklaruar se rregullorja nuk e mundësonte.

Gjatë deklaratës jashtë parlamentit Berisha tha jo vetëm se zgjedhja e Begajt ishte proces antikushtetues, po edhe se kandidati ka probleme të figurës lidhur me denoncimin ndaj tij për një çështje që ka të bëjë me tjetërsimin e pronave të ushtrisë.

“Sot në parlamentin e Shqipërisë po kryhet një dhunim i shëmtuar i Kushtetutës, një akt antikushtetues. Votohet në shkelje flagrante të Kushtetutës, për President Republike njeriu që kalon nga karrigia e shefit te Shtabit në karrigen e Kreut të Shtetit duke shkelur hapur nenin 167 të Kushtetutës, sipas të cilit, ushtaraku aktiv nuk mund të emërohet, dhe as zgjidhet në organe apo pushtete të tjera veç detyrave të ushtrisë. Kandidati që votohet sot, nis udhën e tij duke shkelmuar me dy këmbët Kushtetutën pasi kandidon për president si shef i shtabit të përgjithshëm i ushtrisë shqiptare. Pretendimi se dha dorëheqjen ka zero vlerë sepse për ushtarakun jo dorëheqja, por miratimi dhe largimi i tij nga detyra, është rruga e çliron nga detyra.” – tha Berisha.