Vendosni fjalën kyçe....

Gazetarit rus i jepet shtetësia ukrainase pasi denoncoi luftën


Ukraina i ka dhënë nënshtetësinë një gazetari të njohur rus i cili u largua nga Rusia me gruan e tij pasi denoncoi pushtimin e Ukrainës nga Kremlini.

Moska kishte kërkuar arrestimin e Alexander Nevzorov pasi ai postoi detaje në rrjetet sociale në lidhje me sulmin vdekjeprurës të Rusisë në një maternitet në qytetin ukrainas të Mariupol.

Pas raportimeve, ai u largua nga Rusia me gruan e tij në Mars.

Rusia e akuzon atë për përhapjen e informacionit të rremë në lidhje me atë që Moska e portretizon si “operacioni i saj special ushtarak” në Ukrainë.

Siç shkruan BBC, Anton Gerashchenko, i cili është këshilltar i ministrit të brendshëm ukrainas, tha se Kievi i kishte dhënë shtetësinë Nevzorov dhe gruas së tij Lydia.

Nevzorov konfirmoi se kishte marrë nënshtetësinë ukrainase në një deklaratë në Telegram, në të cilën ai shtoi se lufta e Rusisë ishte një krim dhe Ukraina viktimë e saj.

“Unë mbaj anën e viktimës. Dhe u jam shumë mirënjohës atyre njerëzve të munduar, të dëshpëruar, të gjakosur të Ukrainës që më lejuan të zë vendin tim mes tyre.”– tha ai.