Kopshti Zoologjik i Tiranës ka hapur sot dyert. Në ceremoninë e inaugurimit, kryeministri Edi Rama tha se ky do të jetë një Kopsht me hapësira fantastike jo vetëm për kafshët që janë atje, por edhe për fëmijët, prindërit dhe gjyshërit që i vizitojnë.
“Më vjen jashtëzakonisht mirë që më në fund Lali Eri e mbajti fjalën. Na e kishte dhënë fjalën prej shumë kohësh por u desh që të bëhej një punë e madhe, e ngatërruar me plot gjeëra që dalin papritur dhe s’kanë lidhje dhe ja ku jemi sot në këtë Zoo Park të Tiranës, në këtë hapësirë fantastike, një mjedis i rilindur tërësisht, i pakrahasuar me asgjë si ishte më parë, as me ditët më të mira të mëparshme e jo më me ditët më të zymta. Një kopsht Zoologjik me hapësira fantastike jo vetëm për kafshët që janë këtu, por edhe për fëmijët, prindërit dhe gjyshërit.
Përveçse një hapësirë me plot atraksione dhe me plot mundësi argëtimi, kjo është edhe një hapësirë mësimi, një hapësirë edukimi me botën e kafshëve. Një hapësirë për të njohur nga afër shumë gjëra të cilat janë këtu të mbledhura bashkë, ndërkohë që nëpër libra duhen kërkuar me shumë libra, ndërkohë me mësues, edukatorë, kujdestarë të cilët janë në dispozicion të fëmijëve por edhe me një stukturë që është në dispozicion të shkollave për të patur një marrëdhënie me kopshtin zoologjik të Tiranës.
Është realisht një ditë fantastike për fëmijët e Tiranës, por edhe për fëmijët e qyteteve të tjera për hir të së vërtetës sepse edhe në vende të tjera të cilat janë vende me shumë më tepër tradita dhe me një zhvillim shumë më të hershëm se sa i ynu, kopshtet zoologjike nuk janë në çdo qytet. Janë përqendruar në pika të ndryshme të vendit dhe fëmijët i vizitojnë duke edhe uhdëtuar për një ditë të veçantë. Kështu ne do të organizojmë bashkë me Ministrinë e Arsimit dhe ministren e shtetit për Rininë edhe eskursione nga shkolla të tjera të vendit për të ardhur dhe për të kaluar një gjysmë dite të bukur në këtë Kopsht Zoologjik.
Nuk dua të zgjatem më shumë dhe t’ju mbaj më shumë këtu. Dua vetëm të falenderoj nga zemra të gjithë ata që punuan për të arritur ditën e hapjes së dyerve të Zoo Park Tiranës. Dhe në fakt është puna e shumë njerëzve, që nga projektuesit e pastaj me radhë te gjithë hallkat e një zinxhiri të gjatë që garanton jo vetëm hapjen por garanton edhe mirëfunksionimin e kësaj strukture.
Më vjen jashtëzakonisht mirë që njësoj si stadium edhe kjo strukturë është mu në zemër të kryeqytetit, pra është një botë tjetër e afërt me botën e përditshme të banimit dhe aktiviteteve të tjera gjë që duke ua lehtësuar shumë prindërve rrugën për të ardhur deri këtu dhe mundësinë për të ardhur deri këtu, por që e bën edhe shumë më të bukur dhe më të shëndetshëm kontaktin mes jetës së përditshme urbane dhe kësaj jete këtu që është shumë e veçantë. Dhe aktivitetet e kësaj jete këtu që janë krejt të ndryshme nga ato të jetës së përditshme urbane.
Shumë faleminderit të gjithëve dhe ta gëzojnë të gjithë fëmijët, prindërit dhe gjyshërit këtë kopsht të ri zoologjik të kryeqytetit.”- tha Rama.