Vendosni fjalën kyçe....

Kryebashkiaku Veliaj i jep Behgjet Pacollit “Çelësin e Qytetit të Tiranës”


Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i ka dhënë dje “Çelësin e Qytetit të Tiranës” ish-Presidentit të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.

 “Mirënjohje për ty, Baca Behgjet!

Dje pasdite nderuam me “Çelësin e Qytetit të Tiranës” një shqiptar të mirë, që iu gjend shqiptarëve në ditët e vështira të tërmetit të nëntorit 2019. Faleminderit nga zemra!”– shkruan Veliaj ndërsa publikon një video nga ceremonia e djeshme.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj e falënderoi Pacollin në veçanti për kontributin e tij në rindërtimin e Thumanës, zonës më të goditur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.

“Lajmi se ju do të jepnit një ndihmë prej 1 milion dollarësh për familjet e dëmtuara nga tërmeti ishte ndoshta një nga lajmet më të bukura në javën kur morëm lajmet më të këqija, më të trishta, teksa jetonim përditë me pamjet e nxjerrjes së njerëzve nga rrënojat.

Ishte lajmi i parë që na erdhi nga ju dhe nga Kryeministri Rama, i cili më pas hapi ndoshta një kapitull të ri të filantropisë dhe gjithë atë valë solidariteti.

Duhet të jetë gjithmonë dikush që e nis i pari dhe kam shpresuar që shembulli juaj do të inkurajojë edhe të tjerët, si një efekt domino, ku dominoja e parë ishit ju dhe të ndjerët ju ndoqën.”- u shpreh Veliaj.

Pacolli tha se do të vijojë të mbështesë projekte me rëndësi për Tiranën dhe qytetarët shqiptarë.

 “Jam më se i lumtur që marr Çelësin e këtij qyteti që e dua, të cilin e kam shumë në shpirt, të këtij qyteti me të cilin unë ndaj pothuajse dy të tretat e jetës sime. Kur kam ardhur në Tiranë kam qenë vetëm 28 vjeç dhe kam qenë i lidhur gjithmonë me të. Sigurisht, përshtypjet e mia këtu janë përshtypje edhe të dhimbshme, por kam pasur edhe ditë të lumtura. Një gjë është e sigurt, të cilën e kam ditur që ditën e parë: E kam shijuar mirësinë, shpirtin, e popullit shqiptar këtu. U jam mirënjohës për këtë, nga thellësia e zemrës dëshiroj që të punosh edhe më tutje – e dimë se je duke punuar shumë, por është një fakt shumë i vërtetë se kush punon shumë, ai ka edhe më shumë punë përpara sepse i krijon vetes punë. Puna është e madhe, sfidat janë të mëdha, puna e mbarë të qoftë, ne do të jemi aty që t’ju mbështesim nëse mundemi.”- tha Pacolli.