Presidenti Ilir Meta mori pjesë në Forumin Ekonomik që po mbahet në Maltepe të Stambollit.
Ndërsa fliste për integrimin në BE, Meta tha se ndërsa liderët e BE-së adresojnë besueshmërinë e tyre ndaj politikës së zgjerimit, ne duhet të trajtojmë besueshmërinë tonë sa u takon rezultateve konkrete.
“Ajo që mund dhe duhet të bëjmë është të përqendrohemi në vendin tonë: Në Prioritetet Themelore: Forcimi i demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Demokracia fillon me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me institucione llogaridhënëse, me media të lira. Sundimi i ligjit kërkon zbatimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjyqësorin e pavarur dhe jo të kapur. Askush nuk do ta bëjë këtë për ne, këtë duhet ta bëjmë vetë.”- tha ai.
Gjatë fjalës së tij, Meta e quajti Turqinë “një aleate e rëndësishme strategjike e NATO-s, një partner shumë i vlerësuar rajonal dhe dypalësh, e cila është bërë gjithnjë e më shumë një faktor kyç për sigurinë evropiane dhe më gjerë”.
Një çështje tjetër që Meta preku ishte lufta në Ukrainë.
Fjala e plotë e Presidentit Meta
“I nderuar Kryetar i Bashkisë Maltepe, zoti Kılıç,
I nderuari Kryetar Kılıçdaroğlu,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj!
Është gjithmonë një kënaqësi e madhe të jesh në Stambollin e bukur, një qytet i madh me një histori të fuqishme dhe plot diversitet, gjithnjë në rritje drejt standardeve më të larta.
Dua të falenderoj mikpritësin tonë të dashur, kryebashkiakun Kiliç, për organizimin e kësaj konference për të shkëmbyer pikëpamjet tona mbi çështjet më të rëndësishme që prekin sigurinë ndërkombëtare në ditët e sotme.
Teksa jemi mbledhur këtu, dua ta nis fjalën duke nënvizuar se Turqia është një aleate e rëndësishme strategjike e NATO-s, një partner shumë i vlerësuar rajonal dhe dypalësh, e cila është bërë gjithnjë e më shumë një faktor kyç për sigurinë evropiane dhe më gjerë.
Turqia ka mbajtur një barrë shumë të madhe gjatë viteve të kaluara, me një kontribut të rëndësishëm në përpjekjet ndërkombëtare për të luftuar terrorizmin, si dhe në menaxhimin e një fluksi refugjatësh të përmasave të atilla për ta bërë atë vendin pritës më të madh në botë.
Turqia ka qenë gjithashtu një partner shumë i rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë, në Ballkanin Perëndimor, përfshirë me qëndrimet e saj të qarta ndaj shtetësisë së Kosovës dhe angazhimin e saj konstruktiv për funksionimin shtetëror të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Zonja dhe zotërinj,
Teksa po i referohesha bukurive të Stambollit, nuk përmenda veçorinë e tij më unike: shtrirjen në dy kontinente, ku Europa dhe Azia takohen dhe shkrihen me një identitet.
Koncepti i identitetit është bërë i një rëndësie themelore në kuptimin e tij politik.
Agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë kundër Ukrainës, ka nxitur domosdoshmërinë për të ripërkufizuar identitetin europian si komunitet politik bazuar në vlerat dhe praktikën e përbashkët demokratike.
Kjo ka nxitur nevojën për të forcuar Aleancën tonë të Mbrojtjes Kolektive, duke mbrojtur paprekshmërinë e këtij perimetri të sigurisë nga çdo kërcënim i pajustifikueshëm dhe i paprovokuar.
Kur Presidenti francez Emmanuel Macron prezantoi idenë e një Komuniteti Politik Europian më 9 maj 2022, ai po i përgjigjej aplikimeve të përshpejtuara të anëtarësimit të paraqitura nga Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia.
Solidariteti popullor i shprehur nga popujt europianë duhej të përputhej me angazhimin politik të nivelit të lartë.
Më duhet të pranoj se vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, ishin mjaft të hutuara nga kjo nismë, megjithëse Presidenti Macron do të pohonte gjithashtu se për ne “rruga tashmë është e përcaktuar”, siç referohet në vendimin e Këshillit të BE-së së 2003.
E thënë thjesht, dilema qëndron mbi takimin e Këshillit Europian të qershorit, që do të duhet të përcaktojë se cila do të jetë e ardhmja për tre vendet e reja kandidate dhe çfarë do të ndodhë me hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Ne e kuptojmë se anëtarësimi europian është një proces i gjatë që kërkon reforma vendimtare dhe të pakthyeshme. Pra, po, detyrat e shtëpisë duhet të bëhen.
Por është jashtëzakonisht e rëndësishme të theksohet se edhe pse ende larg progresit të dëshiruar, Ballkani Perëndimor nuk duhet të trajtohet si një rast i dështuar.
Të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të marra së bashku nuk mund të barazojnë as popullsinë e Rumanisë.
Bashkimi Europian nuk e ka të vështirë të na pranojë në raport me shifrat, por në raport me problemet që kemi.
Megjithatë, siç e ka dëshmuar vetë historia, problemet e Ballkanit Perëndimor kurrë nuk kanë mbetur të frenuara apo të kufizuara në këtë territor gjeografik. Sepse një problem ballkanik është një problem europian.
Bashkimi Europian vendosi me mençuri të investojë politikisht, ekonomikisht dhe me kapital njerëzor në Ballkanin Perëndimor duke hartuar një proces anëtarësimi, bazuar në meritat individuale të reformave të qëndrueshme dhe të prekshme, të cilat vërtet përmirësojnë jetën e njerëzve.
Ndoshta investimi më i rëndësishëm politik i BE-së në rajonin tonë është zbatimi i modelit të saj të bashkëjetesës i realizueshëm vetëm përmes perspektivës së anëtarësimit në BE.
Fatkeqësisht, ky model pothuajse u komprometua me një projekt-ide ndryshim/korrigjim kufiri, i cili do të kishte riprodhuar konflikt, do të kishte vrarë perspektivën tonë europiane dhe do të minonte stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Përveç kësaj, agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë kundër Ukrainës u propagandua si e drejta e Rusisë për të “ndërtuar botën ruse”. E njëjta propagandë është përhapur edhe në rajonin tonë me “botën serbe”.
Duket se Rusia nuk do të ndalojë përpjekjet as për t’i dhënë fund zgjerimit të BE-së, as për të prishur modelin demokratik të qeverisjes.
Rusia do të vazhdojë të përdorë aktorët proksi të saj për këto qëllime, por do të duhet të përballet me një përgjigje të fortë.
Nëse Europa dëshiron të jetë e madhe, duhet të mendojë si e madhe. Vizioni dhe vendimet strategjike mund të vijnë vetëm nga brenda saj.
Kjo kërkon lidership politik, unitet, koherencë, të thuhen gjërat ashtu siç janë, përdorimin e kushtëzimit dhe rritjen e levave si mekanizma për të mbajtur gjallë zgjerimin me Ballkanin Perëndimor dhe për të shpëtuar procesin e paqes.
Sigurisht, ne jemi në një pozicion asimetrik për t’u imponuar vendimmarrësve europianë ose për të hyrë forcërisht në Bashkimin Europian.
Në vend të kësaj, ndërsa liderët e BE-së adresojnë besueshmërinë e tyre ndaj politikës së zgjerimit, ne duhet të trajtojmë besueshmërinë tonë sa u takon rezultateve konkrete.
Ajo që mund dhe duhet të bëjmë është të përqendrohemi në vendin tonë:
Prioritetet Themelore: Forcimi i demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Demokracia fillon me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me institucione llogaridhënëse, me media të lira. Sundimi i ligjit kërkon zbatimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjyqësorin e pavarur dhe jo të kapur. Askush nuk do ta bëjë këtë për ne, këtë duhet ta bëjmë vetë.
Të kontribuojmë në forcimin e Aleancës Euro-Atlantike dhe marrëdhënieve me partnerët strategjikë. Përafrim i plotë i politikës tonë të jashtme me Bashkimin Europian. Nxitja e bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal duke përdorur forume dhe mekanizmat ekzistues që mund të japin rezultate konkrete.
Refuzimi kategorik dhe dekurajimi me vendosmëri i mbështetjes ndaj çdo projekti që synon të ndryshojë perspektivën europiane të rajonit. Duhet bërë kujdes nga përpjekjet për të nxitur tensionet përmes retorikës toksike dhe veprimeve provokuese, siç e kemi parë tashmë gjatë muajve të fundit.
Në fund, më lejoni të ritheksoj se presim të ecim përpara sa më shpejt me hapjen e negociatave të anëtarësimit, me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, si dhe me liberalizimin e vizave për Kosovën.
Këto janë vetëm pritshmëri legjitime me të cilat janë dakord pothuajse të gjithë anëtarët e BE-së, duke inkurajuar një këndvështrim të kujdesshëm, por optimist për të ardhmen europiane të vendit tim dhe të rajonit.