Vendosni fjalën kyçe....

Protesta të dhunshme në Armeni, rreth 50 persona përfundojnë në spital (VIDEO)


Dhjetra njerëz kanë mbetur të lënduar gjatë përleshjeve të ndodhura të premten mbrëma në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan, ku një koalicion i partive opozitare mbajti protesta në rrugë.

Protestuesit kërkuan nga autoritetet të mbajnë një qëndrim më të ashpër kundër vendit fqinj, Azerbajxhanit.

Policia tha se 50 persona u shtruan në spital, duke përfshirë 34 oficerë dhe 11 persona u arrestuan. Oficerët thuhet se u qëlluan me gurë dhe sende të tjera ndërsa protestuesit marshuan në ndërtesën kryesore të qeverisë dhe e bllokuan atë për më shumë se dy orë.

Vala e protestave filloi në fund të prillit, me aktivistët që kishin kampuar jashtë ndërtesave qeveritare në kryeqytet. Të premten, ata kërkuan edhe një herë që kryeministri Nikol Pashinyan të largohej, duke e quajtur atë “tradhtar“.

Partitë e opozitës donin që parlamenti të miratonte një deklaratë duke thënë se rajoni i diskutueshëm i Nagorno-Karabakut nuk do të jetë kurrë pjesë e Azerbajxhanit. Megjithatë, ligjvënësit pro-Pashinyan refuzuan të marrin pjesë në seancën parlamentare të premten pasdite. Opozita njoftoi se të shtunën në mbrëmje do të ketë përsëri protesta.


Nagorno-Karabaku u bë de fakto i pavarur nga Azerbajxhani pas një konflikti të armatosur në fillim të viteve 1990 dhe ka qenë aleat i ngushtë me Armeninë. Në vitin 2020, Azerbajxhani pushtoi një pjesë të madhe të territorit të diskutueshëm në një fushatë 44-ditore. Lufta përfundoi me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia, pas së cilës paqeruajtësit rusë u vendosën në zonë.