Vendosni fjalën kyçe....

Shefi kibernetik amerikan pranon sulmet kundër Rusisë në Ukrainë


Specialistët e Komandës Kibernetike të SHBA-së u vendosën në Ukrainë dhe kryen operacione sulmuese kundër Rusisë, tha në fundjavë komandanti i saj dhe drejtori i përgjithshëm i NSA-së, Paul Nakasone.

Në një intervistë me Sky News, në skaj të një konference kibernetike në Estoni, Nakasone zbuloi gjithashtu se përgjuesit amerikanë kryejnë luftë informacioni, me ndihmën e mediave të korporatave si CNN.

Nakasone, një gjeneral me katër yje, drejton Komandën Kibernetike dhe Agjencinë e Sigurisë Kombëtare nga Fort Meade, Maryland. Ai ishte në Talin të mërkurën për CyCon – Konferenca e 14-të Ndërkombëtare mbi Konfliktin Kibernetik, e organizuar nga NATO.

Në intervistën me Sky, gjenerali tha se specialistë kibernetikë amerikanë janë vendosur në 16 vende të huaja me ftesë të qeverive të tyre aleate, për të kërkuar hakerë të huaj dhe gjetur mjetet që përdorin.

“Ne shkuam në dhjetor 2021 me ftesë të qeverisë së Kievit për të punuar me ta. Ne qëndruam atje për një periudhë prej gati 90 ditësh.” – tha Nakasone. Ky ekip u largua nga Ukraina në shkurt, së bashku me të gjitha trupat e tjera amerikane, përpara sulmit rus. Nakasone gjithashtu pohoi për herë të parë, sipas Sky, se SHBA po kryente operacione sulmuese hakerimi në mbështetje të Ukrainës.

Sipas gjeneralit, ndryshimi midis luftës së informacionit ruse dhe amerikane është se Moska gënjen ndërsa Uashingtoni thotë të vërtetën. Si shembull, ai përmendi një rast të vitit 2020 të ‘fermave troll’ që ai tha se Rusia po zhvillonte në Afrikë. NSA dhe Komanda Kibernetike u përgjigjën duke informuar FBI-në por edhe CNN.

Në dhjetor 2020, Facebook njoftoi një spastrim të llogarive  ruse ashtu edhe franceze, të dyshuara për ‘sjellje jo të vërteta të bashkërenduara’, në Afrikën qendrore dhe veriore.

Nakasone tha se NSA dhe CYBERCOM kanë zhvilluar këtë ‘zbulim strategjik’ që nga viti 2018, kur ai mori përsipër t’i drejtonte të dyja. Si shembuj të tjerë, ai tha se NSA dha gjithashtu informacione për atë që ‘rusët po përpiqeshin të bënin në zgjedhjet tona afatmesme’ në 2018 si dhe në 2020. Moska ka mohuar çdo ndërhyrje në zgjedhjet amerikane, elektronike apo ndryshe.