Vendosni fjalën kyçe....

SPAK merr të pandehur anëtaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleda Çiftja


Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion (SPAK) ka marrë të pandehur anëtaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleda Çiften. Ajo akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe deklarim të rremë dhe pritet të pezullohet nga detyra.

Dyshimet ndaj anëtares së KPK-së janë se ajo mund të ketë falsifikuar një dëshmi për nivelin e gjuhës angleze. Po ashtu dyshohet se ka një tokë arë në Kavajë të cilën nuk e ka deklaruar.

Etleda Çiftja është diplomuar “Jurist” në vitin 1999 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Ajo është juriste me më shumë se 16 vjet eksperiencë, kryesisht në sektorin e ndërtimit, pronave, kuadrit rregullator për lejet dhe licencat në fusha të ndryshme të ligjit. Ajo mban titullin “Avokat” që nga viti 2001. Ka kryer trajnime të shumta ndërkombëtare në fushën e lidershipit/menaxhimit; hartimit dhe negocimit të kontratave; auditimit të përputhshmërisë me etikën dhe të antikorrupsionit. Çiftja u zgjodh në qershor 2017 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në postin e Komisioneres pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Më parë nga SPAK, janë marrë të pandehur anëtarët e KPA-së Luan Daci dhe Ardian Hajdari.