Ndërkohë që presidenti Ilir Meta ndodhet në një vizitë zyrtare në Stamboll, vjen një reagim nga Presidenca në lidhje me procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës.
Zëdhënësi i kreut të shtetit Tedi Blushi, shkruan se Meta është në ndjekje të procedurës për zgjedhjen e Bajram Begajt si kandidat për president. Blushi shkruan se Meta si President i Republikës dhe do të respektojë çdo vendim të Kuvendit të shprehur me votë.
Ai shton se për këtë çështje Meta ka pasur dhe një bisedë telefonike me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.
“Presidenti i Republikës, Ilir Meta është në ndjekje të procedurës për zgjedhjen e zotit Bajram Begaj si President i ri i Republikës dhe do të respektojë çdo vendim të Kuvendit të shprehur me votë.
Lidhur me këtë çështje dhe specifikat e saj Presidenti Meta ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Ministrin e Mbrojtjes, z.Niko Peleshi.”– shkruan Blushi.
Përpara se të nisë votimi për të sot në Kuvend, Begaj ka hequr dorë nga postet e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, si dhe grada gjeneralmajor.
Dorëheqja e tij nga këto poste diktohet nga neni 89 i Kushtetutës së Shqipërisë. Sipas këtij neni, Presidenti nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike si dhe nuk mund të jetë kryetar partie. Por kjo duhet të miratohet nga presidenti Meta me dekret.
Më herët ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e quan antikushtetuese kandidaturën e Begajt, i ka bërë thirrje presidentit Meta që të mos e lejojë këtë.