Presidenca ka njoftuar një komunikim të jashtëzakonshëm të kreut të shtetit Ilir Meta nga Stambolli, ku ai ndodhet në një vizitë zyrtare.
“Pas pak minutash, nga Stambolli, një komunikim i jashtëzakonshëm.”- thuhet në njoftimin e Presidencës.
Pak më herët, zëdhënësi i kreut të shtetit Tedi Blushi shkroi se Meta është në ndjekje të procedurës për zgjedhjen e Bajram Begajt si kandidat për president.
Blushi tha se Meta si President i Republikës do të respektojë çdo vendim të Kuvendit të shprehur me votë.
“Presidenti i Republikës, Ilir Meta është në ndjekje të procedurës për zgjedhjen e zotit Bajram Begaj si President i ri i Republikës dhe do të respektojë çdo vendim të Kuvendit të shprehur me votë.
Lidhur me këtë çështje dhe specifikat e saj Presidenti Meta ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Ministrin e Mbrojtjes, z.Niko Peleshi.”– shkruan Blushi.
Përpara se të nisë votimi për të sot në Kuvend, Begaj ka hequr dorë nga postet e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, si dhe grada gjeneralmajor.
Dorëheqja e tij nga këto poste diktohet nga neni 89 i Kushtetutës së Shqipërisë. Sipas këtij neni, Presidenti nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike si dhe nuk mund të jetë kryetar partie. Por kjo duhet të miratohet nga presidenti Meta me dekret.
Më herët ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e quan antikushtetuese kandidaturën e Begajt, i ka bërë thirrje presidentit Meta që të mos e lejojë këtë.