Një mungesë e letrës së paketimit të cigareve mund të prekë duhanpirësit në Gjermani, me disa marka pothuajse të pamundura për t’u gjetur në dyqanet me pakicë, raportoi të premten gazeta Bild.
Sipas gazetës, një nga shkaqet e problemit ishte mbyllja e një fabrike ‘Philip Morris’ për prodhimin e paketave të cigareve në Ukrainë.
Gjiganti i duhanit kishte pezulluar më parë veprimtarinë në vend, duke përfshirë edhe fabrikën e tij në Kharkov, ku deri vonë prodhohej një pjesë e konsiderueshme e letrës për paketat e cigareve. Kompania zotëron markat e njohura të cigareve si ‘Marlboro’ dhe ‘L&M’.
“Për shkak të gjendjes së tensionuar në tregjet botërore të lëndëve të para dhe mungesës së ambalazheve prej kartoni, mund të ketë vërtet mungesë cigaresh.” – tha një zëdhënës i Philip Morris për gazetën.
“Ne po rregullojmë vazhdimisht zinxhirët tanë të furnizimit.” – shtoi ai.
Sipas shitësve gjermanë me shumicë të intervistuar nga Bild, deficiti është veçanërisht i mprehtë në llojet e cigareve ‘Marlboro’. Më e vështirë pritet të jetë për duhanpirësit që preferojnë të blejnë cigare në makinat shitëse, ku marka Marlboro është pothuajse tërësisht e shitur.