Një embargo ndaj gazit rus do dëmtonte Evropën dhe industritë e saj, tha të shtunën Christian Kullmann, kreu i Shoqatës së Industrisë Kimike dhe CEO i Evonik Industries AG, kompania e dytë më e madhe kimike në Gjermani.
“Industria është e privuar nga ajri që i nevojitet për të marrë frymë, ose më saktë, gazi që i nevojitet për punë. Vendet e Evropës Lindore janë pothuajse plotësisht të varura nga furnizimet me energji nga Rusia.” – tha ai siç citohet nga gazeta FAZ (Frankfurter Allgemeiner Zeitung).
Kullmann theksoi se rëndësia e gazit natyror për industrinë kimike të Gjermanisë është shumë e madhe dhe kundërshtimi i energjisë ruse kërcënon ekzistencën e saj.
“Pasi Gjermania i ka thënë lamtumirë energjisë bërthamore dhe qymyrit, tani ka një diskutim nëse do ndalojë furnizimet me gaz nga Rusia. Por është e rëndësishme të kujtojmë se gazi është baza e furnizimit tonë me energji. Kështu që thirrja për një embargo të gazit nuk është vetëm e paarsyeshme, por është gjithashtu brutale.” – tha ai, duke shtuar se kompanitë kimike furnizojnë përbërës dhe produkte për më shumë se 90% të të gjithë mallrave të prodhuara në Gjermani.
Pasi Rusia nisi operacionin e saj ushtarak në Ukrainë në fillim të këtij viti, një numër shtetesh perëndimore, përfshirë SHBA-në dhe BE-në, rritën presionin e sanksioneve ndaj Moskës.
Brukseli vendosi një embargo të pjesshme të naftës ruse në fillim të kësaj jave dhe po shqyrton seriozisht një masë për të braktisur plotësisht gazin rus, pavarësisht thirrjeve nga shumë vende anëtare të BE-së për të mos e bërë këtë.