Vendosni fjalën kyçe....

50 të vdekur nga sulmi në një kishë në Nigeri


Të paktën 50 persona u vranë dhe të tjerë u plagosën pasi persona të armatosur sulmuan një kishë katolike në shtetin Ondo të Nigerisë gjatë meshës të dielën, njoftuan një mjek dhe media lokale.

Një mjek në një spital në Owo, një qytet në shtetin në jugperëndim të Nigerisë, i tha Reuters se jo më pak se 50 trupa ishin zhvendosur në FMC (Qendra Mjekësore Federale) në Owo dhe në Spitalin Katolik.

Presidenti Muhammadu Buhari e dënoi sulmin, duke e quajtur atë ‘të neveritshëm’. Identiteti dhe motivi i sulmuesve nuk janë bërë menjëherë të qarta.

Mediat vendase thanë se persona të armatosur kishin qëlluar ndaj besimtarëve dhe shpërthyen eksplozivë në kishë. Ndër të vrarët kishte gra dhe fëmijë.

Funmilayo Ibukun Odunlami, zëdhënës i policisë për shtetin Ondo, tha vetëm se kishte pasur një incident në kishën katolike të Shën Françeskut në Owo dhe tha se policia do lëshojë një deklaratë të mëtejshme së shpejti.

Vendi më i populluar i Afrikës ka dëshmuar sulme dhe rrëmbime për shpërblim nga bandat e armatosura, kryesisht në veriperëndim të tij. Sulme të tilla janë të rralla në Nigerinë jugperëndimore.

Guvernatori i shtetit Ondo, Arakunrin Oluwarotimi Akeredolu ndërpreu një udhëtim në kryeqytetin Abuja dhe u kthye në Ondo pas sulmit.

“Ne do përfshijmë çdo burim në dispozicion për t’i kapur personat që kryen masakrën dhe për t’i bërë ata të paguajnë për të.” – tha ai në një deklaratë.