Vendosni fjalën kyçe....

Banka e Shqipërisë bleu mbi 13 milionë Euro javën e kaluar


Në datë 3 qershor, Banka e Shqipërisë zhvilloi ankandin e saj të tretë vjetor të blerjes së valutës për qëllimet e menaxhimit të rezervës valutore.

Sipas të dhënave nga tregu, në ankand u blenë gjithsej 13.2 milionë Euro ose pothuajse e gjithë shuma e ofruar nga pjesëmarrësit në to.

Shuma e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes 5 dhe 8 milionë eurove dhe Banka e Shqipërisë vendosi të blejë të plotë vlerën e sipërme të intervalit prej tetë milionë Eurosh.

Blerjet në raundin e parë u realizuan me një kurs që ishte në intervalin mes 120.29 dhe 120.41 Lekëve.

Kursi mesatar i ponderuar rezultoi 120.37 Lekë. Banka e Shqipërisë ushtroi edhe opsionin e blerjes në raundin e dytë, për një shumë shtesë prej 5.2 milionë eurosh, me kursin mesatar prej 120.37 Lekësh.

Në kalendarin vjetor të ndërhyrjeve në tregun valutor, të hartuar në fund të vitit 2021, Banka e Shqipërisë kishte planifikuar 15 ankande të blerjes së valutës.

Bazuar në vendimin e Komitetit të Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë parashikohej që për vitin 2022 të blihet në tregun e brendshëm valutor një shumë në intervalin midis 140 dhe 200 milionë eurosh.

Por, në fillim të muajit mars, kursi i këmbimit kaloi një moment destabilizimi, të lidhur kryesisht me kërkesën e lartë të OSHE për valutë dhe me një valë paniku që përfshiu tregun në vijim. Banka e Shqipërisë ndërhyri në tregun valutor duke shitur valutë dhe njëkohësisht vendosi të anullojë tre ankandet të blerjes, të programuara gjatë muajve mars dhe prill.

Pas ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, tregu u stabilizua dhe Leku filloi të rifitonte sërish terren ndaj Euros. Pozitat e forta të Lekut në kursin e këmbimit kanë bërë që Banka e Shqipërisë të rifillojë programin normal të blerjes së Euros për nevojat e administrimit të rezervës valutore.

Megjithë shumën e konsiderueshme të blerë javën e kaluar nga Banka e Shqipërisë, edhe në këtë rast kursi i këmbimit Euro/Lek nuk ka shfaqur ndonjë lëvizje të dukshme në favor të monedhës Europiane. Përkundrazi, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro të premten u zhvlerësua më tej dhe e mbylli javën e kaluar në vlerën e 120.29 Lekëve.

Leku vazhdon të ruajë pozita të forta në tregun e këmbimit valutor me Euron. Në gjysmën e dytë të muajit Maj, Euro madje preku një minimum të ri historik, në vlerën e 119.91 Lekëve.

Më pas, në mënyrë të papritur, Euro rifitoi lehtë terren, pikërisht në javën e finales së Ligës së Konferencës, kur shumica e agjentëve prisnin një rënie të mëtejshme. Megjithatë, javën e kaluar Euro iu kthye rënies dhe kursi zbriti me rreth 0.7 Lekë krahasuar me një javë më parë.

Deri tani, Leku i ka rezistuar rreziqeve të lidhura me inflacionin e lartë dhe thellimin e deficitit të llogarisë korrente, madje duke arritur pozicionimin më të mirë historik ndaj Euros. Me nisjen e sezonit veror, pritshmëritë janë në kahun e një mbiçmimi të mëtejshëm të Lekut, për shkak të shtimit sezonal të prurjes së Euros, të lidhur kryesisht me turizmin. /E.Shehu

VINI RE: Ky material wshtw pronwsi intelektuale e Monitor