Hetuesit që po investigojnë për vdekjen e 35-vjeçares shqiptare Nevila Pjetri besojnë se autori mund të jetë një vrasës serial.
Kjo për shkak se pas disa orësh në të njëjtën zonë, u gjet trupi i pajetë i një gruaje transgjinore.
Mediet italiane shkruajnë se viktima ishte gjetur e mbuluar me ferra. Jo shumë larg policia ka gjetur një makinë në të cilën janë gjetur gjurmë gjaku.
Një hipotezë është se pas dy vrasjeve mund të jetë e njëjta dorë. Gjithashtu po hetohet edhe bota e prostitucionit: një vrasës mes klientëve? Apo hakmarrje të lidhura me rrjetin e prostitucionit?
Sipas hetimeve të para pas vdekjes së 35-vjeçares shqiptare, gruaja është rrahur dhe ka tentuar të mbrohet, më pas është goditur pas veshit të majtë ose me kaçavidë ose pistoletë të kalibrit të vogël.
Një nga pistat e hetuesve është se ndoshta gruaja e cila dyshohet se punonte si prostitutë, kishte vendosur të mos prostituonte më, ose donte të dilte më vete. Ndaj është “firmosur” urdhri i saj i vdekjes.
Hetuesit raportohet se kanë shoqëruar një burrë për t’u marrë në pyetje.
Karabinierët sekuestruan disa kamera në zonë për të rindërtuar orët e fundit të Nevilës, por mbi të gjitha për të gjurmuar vrasësin. Të dhëna të tjera do të dalin nga autopsitë.