Në një konferencë për mediat nga Tirana, Raportuesi për Shqipërinë në CDU, Peter Beyer ka komentuar deklaratat e fundit të ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov.
Deputeti i CDU u përgjigj pyetjeve të gazetarëve duke thënë se “Rusia nuk duhet të përzihet në çështjet që nuk i takojnë asaj”.
Sipas Beyer, Ballkani Perëndimor duhet të ketë vëmendje dhe është me rëndësi të lartë stabiliteti në rajon.
Gjatë fjalës së tij, deputeti gjerman theksoi se i mbështesin iniciativat që kanë si fokus kryesor bashkëpunimin mes vendeve të rajonit.
“Në bazë të bisedave të mia jo vetëm gjatë ditëve të fundit në Tiranë, por edhe gjatë bisedave me miqtë e mi përtej atlantikut mendoj se nëse nisma Ballkani i haur bëhet me transparencë me një thelb të qartë dhe pozita të barabarta mund të sjellë përparim pasi bëhet fjalë për bashkëpunim rajonal, kjo është një gjë që ne duam ta mbështesim gjithmonë nëse zhvillohet në mënyrën e duhur në vijimësi si të Procesit të Berlinit. Mendoj se është më mirë të jesh brenda procesit sesa jashtë, asnjë vend nuk duhet që të dominojë procesin e Ballkanit të Hapur, vendet duhet të jenë në pozita të barabarta.”- tha ai.
Kujtojmë se ministri rus Sergey Lavrov anuloi vizitën e planifikuar për në Beograd, pasi vendet e Ballkanit s’ia lejuan shfrytëzimin e hapësirës ajrore të tyre për të mbërritur në Serbi. Ai më pas doli hapur në mbështetje të nismës “Ballkani i Hapur”, ku bën pjesë edhe Shqipëria, ndërsa akuzoi Brukselin se “po tërhiqte fijet” pasi nuk e donte këtë nismë.