Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe zv.kryetari, Agron Gjekmarkaj, janë pritur sot në një takim nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku.
E pranishme edhe Majlinda Dodaj, drejtuese e Misionit të Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë.
Në një njoftim për mediet nga Kuvendi, thuhet se Papa Françesku, vuri në dukje disa nga vlerat e popullit shqiptar dhe theksoi se ndjek me simpati arritjet dhe përparimin e Shqipërisë dhe popujt që punojnë shumë vlerësohen për përpjekjet e tyre.
Nikolla nga ana tjetër i foli Papës lidhur me situatën në Shqipëri, vlerat dhe aspiratat evropiane të popullin shqiptar dhe shprehu mirënjohjen e thellë të besimtarëve katolikë dhe të gjithë qytetarëve për përkushtimin e Atit të Shenjtë ndaj Shqipërisë e shqiptarëve.
“Shqipëria është një vend i vëllazërisë fetare. Bashkëjetesa harmonike dhe respekti midis besimeve kanë një trashëgimi historike. Ne, shqiptarët, nuk kemi njohur asnjëherë konflikte fetare dhe ky tipar universal është një krenari kombëtare e jona.
Marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë shkojnë përtej diplomacisë dhe bashkëpunimit fetar.
Ato janë marrëdhënie të fuqishme shpirtërore dhe një frymëzim i madh për besimtarët e qytetarët. Pritja nga Ati i Shenjtë para pak kohësh e drejtuesve të komunitetit mysliman është një vlerësim dhe inkurajim për tolerancën dhe respektin fetar në Shqipëri.”– citohet të ketë thënë Nikolla.
Kryeparlamentarja shqiptare vlerësoi gjithashtu kontributin e Selisë së Shenjtë nëpërmjet nismave e projekteve kulturore, arsimore, shëndetësore, sociale e humane si edhe për restaurimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare në Shqipëri. Por edhe për kontributin e madh për përballimin e pasojave të tërmetit e pandemisë.
Në përfundim të takimit, Papa Françesku “i përcolli Kryetares së Kuvendit urimet më të mira për popullin shqiptar, shoqëruar me bekimin tij apostolik”.
Pas audiencës me Papën, Nikolla dhe Gjekmarkaj, u takuan me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.