Vendosni fjalën kyçe....

Peleshi mburret me dronët për vrojtimin e vatrave të zjarrit, por flakët na i shuajnë avionët e fqinjëve


Pasi avioni grek fiku zjarrin në ishullin e Sazanit që digjej prej disa ditësh, Ministri  Mbrojtjes, Niko Peleshi me tu fikur flakët postoi në rrjetet sociale “inovacionin” e ushtrisë.

Peleshi na njohu me Sistemin e fluturimit pa pilot të dhuruar nga SHBA-ja që përveç përdorimit ushtarak sot u përdor edhe për vrojtimin e vatrave të zjarreve.

Sot kemi përdorur për herë të parë Sistemet e fluturimit pa pilot (UAS) të tipit “PUMA RQ-20B”, për monitorimin e vatrave të zjarrit në Sazan (përveç përdorimit ushtarak), mundësuar për Forcën tonë Tokësore, nga partneriteti strategjik me SHBA.

Mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të SHBA.

Falenderim për efektivin e mirëtrainuar të FT dhe komandantin Gjeneral Arben Kingji”-shkruan Peleshi.

Mirëpo sa herë ndodh një fatkeqësi natyrore apo bien zjarre nevojitet ndihma e fqinjëve.

Të katërt helikopterët ushtarakë që posedon ushtria në inventar asnjëri nuk është funksional dhe kjo e bën të vështirë ndërhyrjen nga ajri sa herë është nevoja.

Ministri Peleshi nuk ka shpjeguar ende se pse helikopterët qëndrojnë të prishur apo pse nuk modernizohet ushtria me avionë për shuarjen e flakëve për ndërhyrje në terrene të vështira.