Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti i ri Bajram Begaj nën hetim për tjetërsimin e bazave ushtarake? SPAK u përgjigjet raportimeve në media


Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) i ka dhënë fund dyshimeve të raportuara ditët e fundit në media, lidhur me një hetim ndaj presidentit të ri që emërohet në korrik, Bajram Begajt.

Ky i fundit është kallëzuar penalisht nga ish-ushtaraku Artur Meçollari për tjetërsimin e bazave ushtarake.

Mirëpo në një prononcim për “Balkanweb”, SPAK ka deklaruar se Begaj, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm, nuk është nën hetim për asnjë çështje.

“Zoti Bajram Begaj nuk është në hetim dhe nuk ka ndonjë hetim ndaj tij.”– thuhet në përgjigjen e SPAK-ut.

Kujtojmë se Bajram Begaj u zgjodh si President në raundin e katërt të votimit të mbajtur ditën e shtunë, ku mori 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.

Mirëpo pas votimit të tij, opozita dhe media ngritën dyshime lidhur me figurën e tij, për shkak se ndaj tij ishte bërë një kallëzim nga ish-ushtaraku Artur Meçollari për tjetërsimin e bazave ushtarake.

Sipas opozitës, president i vendit nuk mund të jetë një zyrtar që implikohet në të tilla çështje.